• Barça do sulmuesin italian, Chelsea ofron 60 mln € për juventinin

    Publikuar: 13 Mar 3:03

    Barcelona ka zhvilluar bisedime sekrete me Torino-n në lidhje me një transferim verën e ardhshme të Andrea Belotti-t. Kjo është bërë e ditur nga “Don Balon”. Barça do të kërkojë të përforcojë sulmin në merkaton e ardhshme dhe e shikon Belotti-n, i cili ka realizuar 22 gola deri tani në Serie A, si një zgjedhje më të mirë në krahasim me Paco Alcacer. Italiani ka refuzuar dy oferta deri tani që i kanë ardhur nga Premier League dhe do të ishte i gatshëm të transferohej në “Camp Nou”.
     

    Belotti ka realizuar 22 gola në Serie A

    Ndërkohë shtypi anglez ka shkruar për një plan të Manchester United, për të siguruar shërbimet e fantazistit të Arsenal Mesut Ozil. Kontrata e lojtarit të kombëtares gjermane me “Topçinjtë” skadon në fund të sezonit të ardhshëm dhe akoma nuk është arritur një marrëveshje mes palëve për rinovimin. Ky fakt ka vënë në lëvizje Jose Mourinho-n, i cili ka dëshirë të ribashkohet me futbollistin, të cilin e ka drejtuar në kohën e Real Madrid.

    Kontrata e Ozil me Arsenal skadon në fundin e sezonit të ardhshëm

    Duke qëndruar në Premier League, sipas shtypit francez, Chelsea ka bërë një ofertë prej 60 milionë eurosh për të siguruar Kingsley Coman. Sulmuesi i krahut është i huazuar te Bayern Munich, me bavarezët që mund ta blejnë përfundimisht kartonin e lojtarit nëse do t’i paguajnë Juventus-it 20 milionë euro. Por Antonio Conte beson se oferta e tyre mund ta tundojë francezin që të transferohet në Premier League.

    Kimmich është ankuar për aktivizimin e pakët me Ancelottin

    Në fund, Pep Guardiola po konsideron mundësinë për të blerë një lojtar të Bayern-it verën e ardhshme. Objektivi i spanjollit është mbrojtësi Joshua Kimmich, i cili ka shprehur pakënaqësinë e tij për mungesën e hapësirave në formacionin titullar. 22-vjeçari, që është pjesë edhe e kombëtares gjermane, ka luajtur vetëm 10 ndeshjes si titullar në këtë sezon më bavarezët dhe ideja e një transferimi në Premier League ku do të ribashkohej më ish-trajnerin e tij mund ta tundojë.

     


    Lexo postimet e tjera