Kampionatet në Europë

Barça-Umtiti, ka njëfarë progresi për të arritur rinovimin

Rinovimi i kontratës me Samuel Umtiti është një prioritet për Barcelonën. Dëshmi për këtë është se, siç ka mësuar “Mundo Deportivo”, kohët e fundit ka pasur një kontakt tjetër mes agjentit të mbrojtësit qendror francez dhe negociatorëve të klubit katalanas.

Burimet që morën pjesë në bisedime me mbrojtësin francez kanë pranuar se janë disi më optimistë pas këtij takimi, pasi ka pasur njëfarë progresi për të arritur marrëveshje. Barça e di se Umtiti dëshiron të bëjë një kontratë shumë të mirë kur të rinovojë, por, për momentin, palët janë ende të distancuara.

Te klubi Blaugrana askush nuk dyshon në cilësinë e Umtitit, por nuk dëshirojnë që nxitimi i lojtarit t’i tërheqë për të bërë një kontratë të fryrë. Ekonomia e Barcelonës i fton drejtuesit në moderim, pasi kohët e fundit ata kanë rinovuar me Busquets, Ter Stegen, Piqué, Sergi Roberto dhe Messi.

Përveç kësaj, investimet e bëra për Paulinho, Dembélé, Semedo, Coutinho dhe Yerry Mina, teksa janë planifikuar gjithashtu shpenzimet për të afruar Griezmann dhe Arthur për sezonin e ardhshëm, janë të mëdha. Në këtë kontekst, klubi dëshiron t’i shtyjë deri në vitin tjetër financiar pagesat sipas rinovimit të ardhshëm të Umtiti.

Nga ana e tij, lojtari dëshiron më shumë se çfarë ofron Barça sot. Ai e di se ka oferta dhe se klauzola e tij e largimit (60 milionë euro) është në dispozicion të disa klubeve të mëdha. Lojtari francez nuk dëshiron të largohet nga Barça. Ai është shumë i kënaqur në klub dhe në ekip. Megjithatë, dëshiron që paga e tij të rishikohet me përmirësim të ndjeshëm financiar.

Më shumë nga Kampionatet në Europë