La Liga

Barcelona vendos rekordin e pathyeshmërisë në La Liga dhe prek titullin kampion

Barcelona ka lënë pas shpine eliminimin e hidhur ndaj Roma në çerekfinalet e Champions League dhe prek me njërën dorë titullin në La Liga, pasi ka fituar 2-1 ndaj Valencia në “Camp Nou”.

Kur u mbush çerekore lojë, katalanasit kaluan në avantazh me anë të Luis Suarez. Sulmuesi nga Uruguaji tundi rrjetën, pas pasimit “të artë” nga Coutinho, duke realizuar golin e tij të 10-të kundër Valencia, të cilës i ka shënuar më shumë se çdo ekipi tjetër.

Ky ishte goli i 23-të i Suarez në këtë kampionat, aq sa Cristiano Ronaldo, gjashtë më pak se Messi.

Sapo nisi pjesa e dytë, Samuel Umtiti shënoi golin e dytë për Barcelona, sërish nga një krosim i Coutinho, ndërsa përgjigja e Valencia, vendi i tretë në La Liga, e gjeti golin e nderit me penallti, katër minuta para fundit, pas faullit të shkaktuar nga Ousmane Dembele.

Penalltinë e ktheu në gol Dani Parejo.

Kur mbeten edhe gjashtë javë nga fundi, Barcelona ka 14 pikë më shumë se Atletico Madrid e vendit të dytë, që nesër do të presë Levante.

Barcelona theu rekordin në La Liga me 39 ndeshje pa humbje, rekord që ishte vënë në vitin 1980 nga Real Sociedad.

Më shumë nga La Liga