Futboll

Bardhi është rritur: Më mjafton të jap asiste

Jurgen Bardhi ka vite që konsiderohet talent i madh, por hapin vendimtar nuk duket se do e bënte ndonjëherë. Faji i tij, por sidomos i Partizanit, që nuk ka ditur ta vlerësojë dhe t’i marrë maksimumin, ndryshe nga ç’po bën trajneri aktual Skënder Gega, i cili i ka gjetur vendin në fushë dhe i ka dhënë shumë qetësi. Sot Bardhi dha një asist prej fenomeni për Esat Malën, duke qenë vendimtar për të disatën ndeshje, ndaj fakti që nuk po shënon nuk shqetëson askënd, as vetë Bardhin, i cili në “Gol pas goli” në Supersport e komentoi qetësisht këtë gjë.

“Nuk jam i mërzitur që nuk po shënoj, rëndësi ka që ecën përpara skuadra. Unë gjithnjë kam dhënë shumë asiste dhe po e bëj edhe tani, jam i kënaqur”.

Sezoni më i mirë te Partizani? “Është herët për të thënë për sezonin në tërësi. Nëse mbaj këtë ritëm do të jetë sezoni më i mirë”.

Pozicioni në fushë? “Më pëlqen që të jem si ‘10’ ,por dhe ‘pyka’ më jep kontakt me topin. Në të dyja rolet mund të luaj mirë”.

Marrëdhënia me Gegën: “Trajneri Gega është shumë i komunikueshëm dhe u jep zemër lojtarëve, po ashtu dhe lojtarëve të rinj i jep shtysë. I jep besim lojtarëve dhe kjo është diçka e mirë”.

Më shumë nga Futboll