Çiklizëm

Barguil fiton etapën e 13-të të Turit, Fabio Aru qëndron “i verdhë”

Në Ditën Kombëtare të Francës një çiklist vendës ka fituar etapën e 13-të të Turit të Francës, Warren Barguil, që ka mbajtur lart nderin e vendit të tij. Një etapë e shkurtër, Saint Girons-Foix, 101km e gjatë, por me disa malore të vështirësisë së lartë, që vuri çiklistët në një provë të fortë rezistence. Barguil ishte pjesë e një grupi çiklistësh që u shkëputën në maloren e fundit, duke prerë i pari vijën e finishit pas 2h36’29”. Të njëjtën kohë dha edhe kolumbiani Nairo Quintana (i dyti) e spanjolli Alberto Contador (i treti), dy çiklistë që synojnë të fitojnë këtë turne, ndërsa në vendin e katërt, me 2 sekonda më shumë u klasifikua spanjolli Mikel Landa.

Italiani Fabio Aru me fanellen e verdhe

Maloret e shumta në këtë etapë bënë që çiklistët të mbërrijnë grupe-grupe në finish, por renditja e përgjithshme e Turit të Francës nuk pati ndryshime. Italiani Fabio Aru dhe britaniku Chris Froome, që kryesojnë turneun, mbërritën në krah të njëri-tjetrit në finish, me 1’48” më shumë se fituesi, ndaj asgjë nuk ndryshon. Italiani ka ende 6 sekonda avantazh ndaj rivalit britanik dhe 25 sekonda avantazh ndaj francezit Bardet (i treti në renditjen e përgjithshme). Nesër zhvillohet etapa e 14-të e Turit të Francës, një tjetër etapë malore dhe e vështirë për çiklistët, çka mund të dhurojë të tjera surpriza gjatë garës.

Më shumë nga Çiklizëm