Volejboll

Barleti dhe Teuta e nisin mbarë kampionatin, Korabi befason Lushnjën

Ka nisur sot Kampionati Kombëtar i Volejbollit për femra, teksa në Krutje, Korçë e Durrës janë luajtur ndeshjet e javës së parë të Grupit A, që kanë dhuruar mjaft emocione dhe surpriza. Ekipi kampion i Barleti Volley e ka nisur me fitore kampionatin, duke mundur 3-1 në Korçë ekipin vendës, një fitore me përmbysje e skuadrës kryeqytetase, që ka rrezikuar jo pak. Ashtu si në gjysmëfinalen e Kupës së Federatës, skuadra e trajnerit Gurabardhi luan me hope, humbet 21-25 setin e parë, por më pas “zgjohet” dhe tregon forcën, duke fituar tri setet e tjera dhe përmbys shifrat. Një fitore dhe 3 pikët e para për Barletin, që e nis mbarë kampionatin.

Ekipet e Skenderbeut dhe Barleti Volley para ndeshjes mes tyre

Një fitore të rëndësishme, duke befasuar jo pak, arritur skuadra debutuese në Grupin A, ajo e Korabit, që mposhti 3-1 Lushnjën në fushën e kësaj të fundit. Ndeshja e luajtur në Krutje ka qenë me shumë rivalitet dhe emocione, sidomos në setin e katërt, që ishte tejet dramatik. Korabi e nisi mirë takimin, e komandoi atë në dy setet e para, por lushnjaret rikuperojnë në setin e tretë, rihapin ndeshjen dhe tentojnë ta barazojnë atë në të katërtin. Por në pikët shtesë Korabi nuk gabon dhe fiton 28-26 dhe krejt ndeshjen 3-1.

Nga nje ndeshje e kampionatit te volejbollit

Fitore të vështirë, arriti edhe Teuta, që mundi 3-0 Vllazninë në Durrës, por dy setet e para u vendosën në pikët shtesë. Shkodranet tentuan surprizën, duke rivalizuar dhe me pak kujdes mund të kishin marrë diçka më shumë, por gabuan në momentet e fundit. Teuta u tregua më cinike në fushë dhe arriti një fitore të pastër, duke marrë 3 pikët e para dhe kryesimin e kampionatit pas javës së parë. Kjo javë do të mbyllet nesër me derbin Partizani-Tirana, që luhet në “Asllan Rusi”.

Volejboll-Femra, java e parë (sot)

Lushnja – Korabi, 1-3 (18-25, 12-25, 25-20, 26-28)

Skënderbeu – Barleti Volley, 1-3 (25-21, 18-25, 15-25, 20-25)

Teuta – Vllaznia, 3-0 (27-25, 27-25, 25-22)

E diel (8 tetor)

Partizani – Tirana, ora 17:00 (Asllan Rusi)

Renditja: Teuta 3 pikë (1/0), Barleti Volley 3 pikë (1/0), Korabi 3 pikë (1/0), Lushnja 0 pikë (0/1), Skënderbeu 0 pikë (0/1), Vllaznia 0 pikë (0/1), Partizani 0 pikë (0/0), Tirana 0 pikë (0/0).

Më shumë nga Volejboll