Volejboll

Barleti finalisti i dytë i Kupës së Federatës, mund 3-2 Tiranën në gjysmëfinale

Barleti Volley është ekipi i dytë finalist i Kupës së Federatës në volejboll për femra, pas fitores 3-2 (22-25, 25-11, 25-27, 25-18, 15-13) ndaj Tiranës në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të luajtur sot në mbrëmje në sallën e lojërave me dorë “Feti Borova” pranë Tirana Olimpik Park. Një ndeshje me rivalitet dhe emocione, por edhe me luhatje të madhe në lojën e të dyja skuadrave, që treguan se ende nuk janë 100% gati për kampionatin që nis së shpejti. Dy herë Tirana kaloi në epërsi me sete dhe po dy herë u arrit nga Barleti, duke bërë që emri i fituesit të dalë në setin final.

Ndeshja nis me ekuilibër, por shpejt Tirana shkëputet në setin e parë, ku fiton 25-22, ndërkohë që loja ndryshon totalisht kah në setin e dytë. Bardheblutë “dorëzohen” shpejt, ndërsa Barleti është më i saktë, duke e dominuar në parket dhe fiton 25-11, duke barazpeshuar shifrat. Seti i tretë është më i bukuri, madje dramatik në fundin e tij. Edhe pse Tirana ka komandën e lojës, shkëputet deri në 20-11, ndërlikon gjithçka. Barleti realizon 10 pikë radhazi, del përpara 21-20 e rihap lojën. Por në pikët shtesë, skuadra e Tiranës është më e saktë dhe fiton 27-25.

Seti i katërt është sërish i Barleti Volley, që shkëputet që në fillim e fiton 25-18, duke barazpeshuar sërish shifrat, këtë herë në 2-2. Seti final rikthen lojën e ekuilibruar, me Barletin që nis gradualisht të shkëputet dhe pas ndërrimit të fushave dominon, duke fituar 15-13 dhe krejt takimin 3-2. Në finale, skuadra e Barletit do të luajë ndaj Partizanit kampion, që në gjysmëfinalen tjetër mundi 3-0 Teutën. Nesër në mbrëmje, ora 18:00 dhe 20:00, do të luhen dy gjysmëfinalet e meshkujve (Erzeni-Tirana dhe Partizani-Studenti).

Më shumë nga Volejboll