Volejboll

Barleti Volej qëndron i pamposhtur, Partizani mposht Tiranën në derbi

Partizani ka fituar 3-0 derbin kryeqytetas ndaj Tiranës, sfidë e vlefshme për javën e 8-të të Kampionatit Kombëtar në volejboll për femra. Përforcimet e merkatos së dimrit kanë dhënë efekt te skuadra e “kuqe”, që mposhti rivalet bardheblu në ndeshjen e luajtur në “Fahrie Hoti”. Në të trija setet ishte Partizani ai që komandoi lojën, ndërsa Tirana ishte e pafuqishme për të rivalizuar, por pavarësisht humbjes, mbron vendin e dytë. Ndërsa Partizani tashmë i afrohet në renditje, vetë një pikë pas bardhebluve, duke konfirmuar pretendimet për titullin kampion këtë sezon.

Pas një ndeshje dramatike, që zgjati mbi 2 orë, skuadra e Teutës mundi 3-2 Vllazninë në Shkodër, një sfidë ku loja e skuadrave ishte me luhatje. Vendaset e nisin mirë ndeshjen, por shpejt durrsaket rikuperojnë dhe përmbysin shifrart, duke fituar dy setet e tjera dhe udhëheqin 2-1 me sete. Por Vllaznia nuk heq dorë, luan më mirë dhe fiton setin e katërt, duke rihapur sërish takimin. Por seti final nuk ka histori, fitohet 15-6 nga Teuta, që merr dy pikë që e mbajnë në vendin e tretë.

Nga ndeshja Korabi – Lushnja, 0-3

Barleti Volley, kryesues i kampionatit, arriti një fitore të lehtë ndaj Skënderbeut me shifrat 3-0, ndeshje e dominuar nga skuadra kryeqytetase, që pati epërsi në fushë në të trija setet. Jo vetëm kaq, por ekipi i trajnerit Gurabardhi qëndron i pamposhtur në kampionat, duke korrur suksesin e tetë në po kaq javë të luajtura. Fitoren e parë sezonale korri skuadra e Lushnjës, që mundi 3-0 Korabin në Peshkopi, duke u hakmarrë për humbjen e fazës së parë. Një fitore me shumë vlera për ekipin myzeqar, që jo vetëm merr 3 pikë të arta, por edhe i largohet vendit të fundit, aty ku qëndron Korabi, që tashmë rrezikon rënien nga kategoria. Volejbollistet vendase rivalizuan vetëm në setin e tretë, shumë pak për të fituar, duke zhgënjyer fansat.

Nga ndeshja Vllaznia – Teuta, 2-3

Volejboll – Femra, java e 8-të (10 shkurt)

Korabi – Lushnja, 0-3 (18-25, 17-25, 23-25)

Barleti Volley – Skënderbeu, 3-0 (25-16, 25-13, 25-18)

Vllaznia – Teuta, 2-3 (25-12, 19-25, 15-25, 25-17, 6-15)

Tirana – Partizani, 0-3 (17-25, 17-25,15-25)

Renditja: Barleti Volley 24 pikë (8/0), Tirana 18 pikë (6/2), Partizani 17 pikë (6/2), Teuta 15 pikë (5/3), Skënderbeu 9 pikë (3/5), Vllaznia 7 pikë (2/7), Lushnja 3 pikë (1/7), Korabi 3 pikë (1/7).

Më shumë nga Volejboll