Connect with us

Femra

Barleti Volej fiton Kupën e Shqipërisë, mund Tiranën në finale

Kupa e Shqipërisë në volejboll për femra qëndron “pronë” e ekipit të Barleti Volej, që mposhti sot në finale 3-0 Tiranën, takim që u luajt në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet. Ekipi universitar ishte më superior në fushë, dukej më i freskët se rivalet bardheblu, që duket se ndjenë lodhjen e fitores me përmbysje në gjysmëfinale ndaj Teutës (ndërsa Barleti eliminoi Partizanin). Të trija setet kanë qenë fotokopje të njëra-tjetrës, me Barletin që shkëputej gradualisht, ndërsa Tirana, edhe pse rivalizonte, nuk ishte në gjendje të mbante ritmin e diktuar nga rivalet.

Nga nje ndeshje e Barletit ne kampionat

Dy setet e para janë më interesante, Tirana tenton të ndalë Barletin e pamposhtur këtë sezon edhe në kampionat. Por bardheblutë luajnë me hope dhe pas pikës së 10-të nisin gradualisht të humbasin terren, duke i humbur dy setet e para me shifrat e njëjta 25-20. Kjo diferencë bën që Tirana të dorëzohet totalisht në setin e tretë, që komandohet nga volejbollistet universitare, që shkëputen dhe fitojnë thellë 25-11 dhe krejt takimin 3-0. Një fitore e merituar e Barletit, më i kompletuar dhe që e kërkoi më shumë fitoren, duke ngritur lart trofeun e dorëzuar pas finales nga Federata e Volejbollit.

Kupa e Shqipërisë – Gjysmëfinale femra (1 mars)

Tirana – Teuta, 3-2 (18-25, 16-25, 25-18, 25-23, 15-12)

Barleti Volej – Partizani, 3-1 (25-22, 18-25, 25-19, 28-26)

Kupa e Shqipërisë – Finale femra (3 mars)

Barleti Volej – Tirana, 3-0 (25-20, 25-20, 25-11)

Më shumë nga Femra