Connect with us

Femra

Barleti Volej kampion i Shqipërisë në volejboll për femra

Për të katërtin vit me radhë, skuadra e Barleti Volej shpallet kampione e Shqipërisë në volejboll për femra për sezonin sportiv 2016-2017, duke u konfirmuar si ekipi më i mirë. Edhe këtë sezon, skuadra universitare ishte më e mira në kampionat, thuajse absolute në rrugëtimin e saj, duke humbur vetëm një ndeshje në gjysmëfinale. Ndaj dhe titulli kampion ishte një triumf mëse i merituar, një rrjedhë logjike e asaj që ndodhi përgjatë gjithë këtij sezoni. Barleti fitoi 3-0 serinë e ndeshjeve finale ndaj Partizanit, teksa sot në mbrëmje, në “Asllan Rusi”, korri suksesin e tretë.

Nga nje ndeshje e kampionatit te volejbollit

 

 

Ekipi që drejtohet nga trajneri Hasan Gurabardhi arriti një triumf të merituar, një skuadër e re dhe e talentuar, me mjaft lojtare shtatlarta dhe të perspektivës. Edhe pse nga ekipi barletas u larguan mjaft titullare sezonin e kaluar, sërish u krijua një grup triumfues, që pati si lidere kapitenen Enkeleda Braho, vendimtare me lojërat e saj. Hasku, Bego, Fagu, Picaku, Xheka etj., ishin lojtaret e tjera që u dalluan te skuadra e Barleti Volej, që ngre lart një tjetër trofe këtë sezon, pas Kupës së Shqipërisë.

Nga ndeshja Partizani-Barleti Volej

Seti i parë nis me rivalitet, pasi të dyja ekipet barazojnë vazhdimisht, por pas pikës së 13-të është Barleti ai që shkëputet, ka komandën e lojës në dorë dhe fiton 25-17, duke treguar epërsi absolute. Kjo epërsi thuajse nxjerr jashtë loje skuadrën e Partizanit, që në setin e dytë është gjithnjë në ndjekje të Barletit, i cili shkëputet që në pikët e para. Për pasojë, kampionet fitojnë pa shumë probleme 25-22. Seri i tretë rikthen rivalitetin në parket, me shumë barazime e dramacitet dhe Partizanin që tenton të bëjë përmbysjen, duke rivalizuar deri në fund. Por Barleti nuk zhgënjen, duke fituar 28-26 në pikët shtesë dhe krejt takimin 3-0, duke nisur festën e titullit.

Finale play off – Volejboll femra

14 prill, Barleti Volej – Partizani, 3-0 (25-20, 25-17, 25-22)

17 prill, Partizani – Barleti Volej, 1-3 (20-25, 25-22, 20-25, 23-25)

20 prill, Barleti Volej – Partizani, 3-0 (25-17, 25-22, 28-26)

Më shumë nga Femra