Volejboll

Barleti Volley dominon kampionatin, Gurabardhi pret të tjera trofe

Skuadra e Barleti Volley e mbylli fazën e parë të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për femra në vendin e parë në krye të renditjes me 21 pikë të plota, duke treguar forcën e saj. Pas humbjes që pësoi në gjysmëfinalen e Kupës së Federatës ndaj Tiranës, kampionet e drejtuara nga trajneri Hasan Gurabardhi arritën 10 fitore radhazi, 7 në kampionat dhe 3 në eliminatoret e Kupës së Shqipërisë, duke dominuar dhe treguar se ajo disfatë në debutimin sezonal ishte një rastësi. “Na mobilizoi më shumë, duke luajtur me më shumë përgjegjshmëri dhe besim, ndaj ishte një humbje që na karikoi”, tha trajneri Hasan Gurabardhi.

Nga nje ndeshje e Barlety Volley ne kampionat

Skuadra barletase kërkon të fitojë sërish të gjitha trofetë sezonale, duke synuar që edhe këtë vit të jetë në majën e volejbollit shqiptar për femra. Trajneri e skuadrës kryeqytetase beson se ekipi do të arrijë të dominojë edhe këtë sezon. “Kemi një ekip të mirë, një grup vajzash që synojnë të jenë gjithnjë më të mirat, punojmë fort dhe kemi besim te forcat tona. Por nuk duhet të ulim përqendrim dhe nënvlerësojmë asnjëherë askënd, për të evituar surpriza të pakëndshme. Ka për të qenë një garë e fortë deri në fund, por jemi mësuar dhe rivaliteti nuk na tremb, ndaj jemi gati për të fituar të tjera trofe”, u shpreh trajneri Gurabardhi.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Volejboll