Kombëtarja

Basha: Ndeshja ndaj Izraelit është si finale, ja si duhet të luajmë

Nga rezidenca e kombëtares në Durrës, mesditën e sotme kanë dalë në konferencë për shtyp dy “senatorë” kuqezinj, Elseid Hysaj dhe Migjen Basha. Ky i fundit ka nënvizuar në fjalën e tij: “A mund të vazhdojë kjo kombëtare me suksese, duke pasur parasysh paraqitjen që bëri mbrëmë ndaj Jordanisë? Me siguri që po. E kam thënë edhe herën e fundit, që në futboll nuk i dihet kurrë. Mundet më lujt ndeshje katastrofale, por edhe ndeshje të mira.

Sigurisht, dje kemi luajtur me një sistem loje, që disa herë e kemi përdor, disa herë të tjera jo. Ndoshta ka pasur lojtarë të rinj, që nuk kishin luajtur me këtë sistem. Në stërvitje nuk kemi shumë kohë që ta aplikojmë, ndaj edhe lëvizjet në fushë nuk kanë qenë si duhet. Ndoshta nuk kemi luajtur një ndeshje të mirë, por nuk duhet me e humb shumë besimin.

Tani ajo mbaroi, duhet të shohim përpara, nga ndeshja e së dielës. Ne duhet të japim maksimumin kundër Izraelit, jo kundër Jordanisë. Miqësorja është për të provuar lojtarë dhe skema të ndryshme, nuk ka vlerë pikësh. Jordania luajti mbrapa dhe besoj se e ka konsuideruar sukses të madh barazimin ndaj nesh. Tani duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e së dielës.

A do ndikojë kjo paraqitje për sfidën me Izraelin? Fitorja të jep gjithmonë moral në futboll. Por, të mos harrojmë se në ndeshjen e fituar 3-0 në Izrael, vinim pas një humbjeje shokuese kundër Luksemburgut. Pra, edhe momentet jo të mira të japin shtysë për ndeshjen në vazhdim. Në disa raste fitorja është më e keqe, sepse të vë disi në gjumë, jo gjithmonë ta rrit moralin. Moralin në skuadër duhet ta rrisim vetë ne lojtarët.

E dimë se kemi zhvilluar një lojë jo të mirë, por tani na duhet entuziazëm. Duhet ta përgatisim dhe ta luajmë ndeshjen kundër Izraelit sikur të jetë një finale dhe pastaj besoj se do t’ia dalim me sukses. E kemi të qartë rëndësinë e sfidës së të dielës, sepse ka të bëjë me rrugën tonë drejt Kampionatit Europian. Nëse marrim një rezultat pozitiv ndaj Izraelit, kemi shanse shumë më të mirë për të shkuar në Europian.

Eshtë e vështirë ta them nëse do të ndryshonte diçka mbrëmë në lojë, nëse do të isha unë dhe Hysaj në fushë. Në të kaluarën ka pas mjaft ndeshje, ku edhe ne kemi luajtur dobët, prandaj nuk mund të bëjmë të tilla analiza. Ky është futbolli, ndodh edhe që nuk luan si duhet një ditë apo një tjetër. Tani vetëm fusha duhet të flasë më mirë se askush. Të dielën duhet me tregu diçka më të mirë, me dhënë maksimumin. Unë dhe Hysaj jemi caktu kapitenë të dytë, ndaj kemi përgjegjësi shumë më të mëdha.

Si e shikoj sistemin e lojës që përdori dje trajneri Panucci? Në të kaluarën kam luajtur me këtë sistem loje, me trajnerin Ventura te Torino. Pak a shumë i di edhe lëvizjet. Nuk jam specialist i futbollit, por pak a shumë e njoh këtë sistem. Sidoqoftë, në momentin kur nuk ke shumë kohë për ta praktikuar në stërvitje, është e vështirë ta zbatosh si duhet në ndeshje. Në një ditë stërvitje nuk mundesh me i përcaktu lëvizjet e çdo lojtarit dhe si duhet të sillen me njëri-tjetrin në fushë. Pavarësisht se kundërshtari u mbyll i gjithi në mnbrojtje, ne kemi pasur raste të mira për të shënuar gol.

Zgjedhja e kapitenit përfundimtar? Mendoj se ndikon për mirë, sepse forcohet grupi kështu. Kanë qenë vetë lojtarët, ata që kanë votuar. Mavraj ka marrë më shumë vota dhe është kapiteni, pastaj Hysaj dhe unë. Megjithatë, mungesa e shiritit të kapitenit nuk të bën më pak përgjegjës për misionin që ke në kombëtare. Kur hyn në fushë, nuk mendoj nëse ke shiritin në krahë apo jo, duhet me dhënë maksimumin.

Çfarë ndeshjeje presim ndaj Izraelit? Na duhet fitorja patjetër. Ne e dimë se kjo ndeshje mund të na bllokojë rrugën drejt Europianit, prandaj kemi vlerësim maksimal. Izraeli do të na sulmojë, por duhet të jemi shumë të vëmendshëm dhe ta luajmë sipas mënyrës sonë ndeshjen”.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Më shumë nga Kombëtarja