• Basha: Po bëmë këtë ndaj Italisë, do të pësojmë shumë gola

    Publikuar: 20 Mar 12:16

    20 ndeshje sezonale me fanellën e Barit dëshmojnë një rini të dytë të Migjen Bashës në Itali. Ai është një nga lojtarët veteranë të kombëtares shqiptare, tashmë, por ia ka dalë t’u mbijetojë planeve të De Biazit. Nga Aeroporti i Rinasit, ku mbërriti për t’iu drejtuar grumbullimit kuqezi (në Durrës) për kualifikuesen e 24 marsit me Italinë, Basha ka dhënë mendimin e tij për mikrofonin e “Supersport”: “Duke luajtur rregullisht te Bari kam marrë formën e duhur sportive. Pas lëndimit që pata te Torino ka qenë me të vërtetë shumë e vështirë për t’u rikthyer në më të mirën time. Të qëndrosh jashtë fushave 1 vit është problem i madh për çdo futbollist.

    Ndeshjet që kam zhvilluar këto muajt e fundit besoj se më kanë ndihmuar për të kapur formën sportive më të mirë të mundshme. Situata në grupin kualifikues të Shqipërisë? Sigurisht, humbja kundër Izraelit e komplikon mjaft situatën tonë. Na janë ngatërruar të gjitha planet që kemi pasur. Humbja kundër Spanjës, ndoshta edhe pritej deri diku, duke ditur se çfarë niveli kanë iberikët. Kjo humbje më duket normale, por problem është humbja shumë e keqe me Izraelin. Na kanë mbetur për të luajtur edhe disa ndeshje. Nëse marrim një rezultat pozitiv kundër Italisë, besoj se kemi ende shanse.

    Natyrisht, do të jetë shumë e vështirë, sepse do t’i kemi gati të gjitha ndeshjet jashtë fushës sonë. Strategjia që duhet përdorur ndaj Italisë? Në këtë moment duhet të bëjmë atë që kemi bërë çdoherë. Duhet të mbrohemi sa më mirë. Kundër Spanjës, deri në momentin kur kemi pësuar gol, kemi qenë duke luajtur shumë mirë në fushë, edhe pse ishte e vështirë t’ua mbanim topin spanjollëve, kur dihet se janë mbretërit e kësaj pune. Ishte kundërsulmi, ai që na dërgoi në Kampionatin Europian. Këtë strategji duhet të përdorim, siç kemi bërë përherë. Nëse fillon ta sulmosh Italinë, atëherë do të pësosh shumë gola.”


    Lexo postimet e tjera