Bundesliga

Basler: “Në janar, Ancelotti do të shkojë në Kinë”

Basler: “Në janar, Ancelotti do të shkojë në Kinë”

Kritika, polemika, pakënaqësi. Edhe pse ka fituar tre trofe në 13 muaj, dy Superkupa të Gjermanisë dhe titullin kampion, aventura e Carlo Ancelotti në stolin e Bayern Munich nuk po bind plotësisht. Problemi është ambicia e tifozëve dhe klubit për të cilët nuk mjafton të jesh më i forti në Gjermani. Ka pastaj një polemikë lidhur me Muller, që ka përfunduar në një qoshe të projektit dhe kjo nuk shihet me sy të mirë nga bavarezët. Për këtë arsye, pas humbjes së djeshme që i kushton Bayern Munich lënien e kreut për herë të parë në vitin 2017, kanë filluar të flasin kundër trajnerit italian. Ka nga ata që garantojnë si Ancelotti do të largohet në janar për në Kinë, ku ka firmosur një parakontratë për një klub.

Divorci në janar do të ishte me të vërtetë i çuditshëm sepse do të ishte në prag të momentit vendimtar të sezonit dhe do të ishte një lëvizje e pazakontë për një klub si Bayern Munich dhe për një trajner si Carlo Ancelotti

Gjatë një emisioni “talk-show”, në “Sport1”, Mario Basler, ish-mesfushori i Bayern, ka deklaruar se ka marrë konfirmime direkte për kalimin e italianit në Azi. “Kam dëgjuar që Ancelotti ka firmosur për një klub kinez, – ka zbuluar ai. – Nga ajo që më kanë thënë do të shkojë që në janar sepse ai është momenti kur nis sezoni në Kinë.” Por më pas, vetë Basler pranon se nuk mund të garantojë vërtetësinë 100% të lajmit: “Nuk mund ta konfirmoj publikisht sepse nuk mund të them emrin e personit me të cilin kam biseduar, por ai është një burim i sigurt. Le të themi kështu: nuk mund të them asgjë për të, sepse kam shumë besim. Edhe sikur të mos jetë e vërtetë nuk besoj se jam i vetmi që e kam dëgjuar.”

Më shumë nga Bundesliga