Champions League

Bavarezët kujtojnë “rregullin”: Real Madridit do t’ia heqim kurorën!

Shorti i hedhur dje në Nyon të Zvicrës ka përvijuar të ashtuquajturën klasike e Europës në çerekfinale të Ligës së Kampioneve.

Shorti i hedhur dje në Nyon të Zvicrës ka përvijuar të ashtuquajturën klasike e Europës në çerekfinale të Ligës së Kampioneve. Bayern Munich do të ndeshet me Real Madridin në këtë raund të kompeticionit më të rëndësishëm europian për klubet, ndërkohë që Carlo Ancelotti do të kthehet si kundërshtar në “Bernabeu”. Italianit i duhet të sfidojë ish-ndihmësin e vet, Zidane, që bashkë me të tijtë janë kampionët kontinentalë në fuqi. Lidhur me këtë superpërballje në Champions, kanë reaguar edhe bavarezët. Kështu, drejtori i përgjithshëm, Karl-Heinz Rummenigge, ka thënë për “Kicker”:

“Kjo është një klasike, e cila ishte ndoshta përballja më e lartë, që mund të dilte nga goglat e shortit në këtë moment të Champions-it. Të gjithë tifozët e futbollit në botë do të mund të shikojnë dy ndeshje absolute të nivelit më të lartë. Kualifikimi do të jetë i vështirë për të dyja palët, por për Carlo Ancelottin është një motivim i veçantë. Personalisht mendoj se është më mirë që ta luajmë çerekfinalen e parë në shtëpi, sepse do të dimë çfarë hesapesh të bëjmë për kthimin në Madrid. Do të ishte mirë nëse në shtëpi marrim një fitore pa pësuar gol, 2:0, apo 1:0. Sidoqoftë, shanset janë 50:50. Por, tashmë ka një “rregull” të vjetër, se fituesit e Champions-it nuk e mbrojnë dot titullin. Dhe kjo flet pro Bayern Munich.”

Nga ana e tij, portieri bavarez, Manuel Neuer, ka shtuar: “Ne kemi trajnerin më të mirë, specialist në Champions. Real Madridi është një kundërshtar shumë interesant dhe i vështirë. Të luash kundër Real Madridit është gjithmonë diçka shumë e veçantë…” Kapiteni Philipp Lahm ka këtë mendim për përballjen e çerekfinales së Champions-it: “Është shumë e bukur, një klasike ndërkombëtare, që shoqërohet gjithmonë me beteja interesante, si në shtëpi, edhe në Madrid. Atmosfera është gjithmonë e madhe, ajo nuk ndryshon. Ne duhet të marrim një rezultat të mirë në Mynih. Kemi një ekip të fortë dhe e dimë se mund t’i shkojmë deri në fund kësaj gare.”

 

Më shumë nga Champions League