Bundesliga

Bayern bën detyrën edhe me Schalke-n, Lewandowski barazon rekordin e Heynckes

Bayern Munich ka mundur 2-1 Schalke-n dhe ka marrë fitoren e nëntë radhazi në Bundesliga dhe të njëmbëdhjetën radhazi në të gjitha kompeticionet. Me tri pikët e sotme, kampionët në fuqi të Gjermanisë kanë hedhur një hap tjetër drejt mbrojtjes së titullit. Ata kanë shkuar në kuotën e 56 pikëve në renditje, 18 më shumë se Leipzig, që mban vendin e dytë. Schalke mbetet në vendin e gjashtë me 34 pikë, dy larg zonës Champions.

Gjashtë minuta lojë i kanë mjaftuar vendasve për të gjetur golin e avantazhit. Autori i golit ka qenë Robert Lewandwoski, i cili ka shkuar i pari te topi pasi portieri Fahrmann nuk ka arritur të ndalë gjuajtjen e fortë të Muller nga jashtë zone. Sulmuesi polak është bërë lojtari i dytë në historinë e Bundesliga-s që realizon në 11 ndeshje radhazi të të luajtura në shtëpi, duke barazuar rekordin e vendosur nga trajneri aktual i Bayern, Jupp Heynckes, i cili e ka bërë këtë kur luante me Borussia Monchengladbach.

Schalke ka reaguar në minutën e 29-të dhe ka barazuar rezultatin me Di Santo-n. Ekuilibri ka zgjatur vetëm shtatë minuta, me Thomas Muller që ka kthyer në avantazh vendasit me një gol të bukur të realizuar nga një kënd i pamundur. Miqtë kanë rrezikuar në pjesën e dytë me Breel Embolo, por tentativa e tij është ndalur nga një pritje e bukur e Sven Ulrich. Bayern ka kontrolluar pa probleme avantazhin në minutat e fundit dhe ka arritur të marrë tri pikët e radhës. Ndeshja e ardhshme e bavarezëve do të jetë në transfertë kundër Wolfsburg, ndërsa Schalke do të presë Hoffenheim në shtëpi.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Bundesliga