Bundesliga

Bayern Munich ka nisur marshimin drejt titullit të shtatë radhazi

Leverkusen do të synojë fitoren e parë në fushën e Bayern, që nga viti 2012, me synimin për të treguar se “aspirinat” mund të jenë ekipi që do të ndalë marshimin e bavarezëve drejt titullit të shtatë kampion radhazi. Që nga viti 2006 dhe deri më sot, Bayern e ka nisur gjithmonë kampionatin me dy fitore.

Në verë mendohej se Leverkusen do t’i hapte punë Bayern në këtë kampionat, por ata janë një nga katër ekipet që ende nuk kanë marrë asnjë pikë në Bundesligë. Ata do të shkojnë në një fushë të frikshme për çdo kundërshtar pasi bilanci i Bayern në 29 ndeshjet e fundit para tifozëve vendas ka qenë 27 fitore dhe 2 barazime.

Në kampionatin e kaluar Bayern i fitoi të dy ndeshjet e kampionatit ndaj Leverkusen me të njëjtin rezultat, 3-1. Kësaj i shtohet edhe suksesi i thellë, 6-2, në Kupën e Gjermanisë. Thomas Müller, i cili zhgënjeu në sezonin e kaluar, duket i rilindur që pas ardhjes së trajnerit Nico Kovac dhe ka shënuar dy gola dhe ka dhënë dy astite në sezonin e fundit.

Leverkusen do t’i ketë të gjitha shpresat te Leon Bailey, i cili ka shënuar golin e vetëm të “aspirinave” në këtë kampionat, ndërsa vjet e mbylli me nëntë gola dhe shtatë asiste.

Në përballjet direkt në të gjitha veprimtaritë, Bayern Munich ka fituar 52 herë ndaj Leverkusen, ndërsa 17 ndeshje janë mbyllur në barazim, aq sa kanë qenë edhe fitoret e Leverkusen. Shtatë nga tetë ndeshjet e fundit mes këtyre dy ekipeve kanë prodhuar më shumë se 2.5 gola.

Më shumë nga Bundesliga