Champions League

Bayern “pushton” Athinën në dy minuta, Valencia ndalet në Zvicër

Bayern Munich ka fituar me rezultatin 2-0 ndeshjen e luajtur në fushën e AEK-ut të Athinës, e vlefshme për javën e tretë të Grupit E të Champions League.

Një fitore kjo që i ka dhënë skuadrës së Kovac kreun e përkohshëm të grupit, në pritje të rezultatit që do të dalë nga ndeshja që do të luhet pas pak minutash mes Ajax-it dhe Benfica-s në Amsterdam.

Bavarezët e kanë siguruar fitoren në pjesën e dytë, në harkun e dy minutave. Ka qenë Javi Martinez që ka zhbllokuar ndeshjen në minutën e 61-të, ndërsa Robert Lewandowski e ka mbyllur atë në të 63-ën.

Në takimin tjetër të orës 18:55, atë të luajtur në Zvicër mes Young Boys dhe Valencia-s, i vlefshëm për javën e tretë të Grupit H, vendasit kanë arritur të marrin pikën e parë në këtë Champions falë një barazimi 1-1.

Spanjollët kanë kaluar në avantazh me Batshuayi-n në minutën e 26-të, ndërsa miqtë janë kundërpërgjigjur në minutën e 55-të me Hoarau, i cili ka shënuar me penallti. Ky rezultat nuk ka ndikuar në renditjen e grupit, me zviceranët që mbeten në vendin e fundit, ndërsa spanjollët janë në të tretin me dy pikë.

Në vendin e parë dhe të dytë janë respektivisht Juventus dhe Manchester United, që do të ndeshen në orën 21:00, në “Old Trafford”.

Më shumë nga Champions League