Champions League

Bayern-Real, gjermanët: Arma jonë është Ancelotti

Bayern-Real, ç’mund të kërkosh më shumë? Të këtij mendimi janë edhe bavarezët, të cilët sot reaguan me shumë kujdes për shortin e tyre në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. “Kjo është një klasike dhe ndoshta është gjithashtu ndeshja absolutisht më e madhe që mund të binte në short, kështu që të gjithë tifozët e futbollit mund ta presin me padurim. Për trajnerin tonë do të jetë një motivim i veçantë, sepse ka punuar në Madrid për dy vite. Mendoj se është gjë e mirë që ndeshjen e parë do ta luajmë në shtëpi”, – u shpreh shefi ekzekutiv i klubit, Karl-Heinz Rummenigge.

Për portierin Manuel Neuer ndeshjet do të jenë të barabarta, por ai ka besim te Carlo Ancelotti. “Trajneri ynë i njeh madrilenët më mirë se kushdo tjetër. Nuk mendoj se Reali është i kënaqur me shortin. Natyrisht, të përballesh me një ekip të tillë është gjithmonë diçka e veçantë. E shoh 50-50, do të vendosin detajet”, – deklaroi 30-vjeçari. I këtij mendimi është edhe kapiteni Philipp Lahm. “Ky është një short i këndshëm, një klasike ndërkombëtare. Atmosfera në Madrid është gjithmonë spektakolare. Ne jemi të fortë në shtëpi, por e dimë se mund të shënojmë edhe në transfertë.” 

 

Më shumë nga Champions League