Bundesliga

Bayern s’di të ndalet, mposht 3-1 Leverkusen

Bayern Munich e ka nisur2018-ën ashtu si e mbylli 2017-ën. Bavarezët, në fakt, kanë fituar ndeshjen e katërt radhazi në kampionatin gjerman pasi kanë mundur 3-1 Bayer Leverkusen në transfertë.

Miqtë kanë shkuar shumë afër golit me Ribery dhe James Rodriguez në pjesën e parë, por ka qenë Javi Martinez ai që ka zhbllokuar takimin në minutën e 32-të, duke dërguar topin në rrjetë nga një pozicion shumë i favorshëm. Spanjolli mund të kishte dyfishuar avantazhin e bavarezëve gjashtë minuta më vonë, por goditja e tij ka përfunduar për pak jashtë.

Pjesa e dytë ka filluar mirë për vendasit, të cilët kanë goditur traversnë me Leon Bailey, ndërsa Bayern është kundërpërgjigjur me një goditje të rrezikshme të Thomas Muller dy minuta më vonë. Ka qenë më e saktë goditja e Franck Ribery, i cili ka realizuar golin e dytë për bavarezët në minutën e 59-të.

Francezi ka marrë një top nga James Rodriguez dhe ka mposhtur portierin e vendasve me një goditje të saktë me të djathtën. Gjithsesi, Leverkusen nuk është dorëzuar dhe ka rihapur ndeshjen në minutën e 70-të me Volland, i cili është ndihmuar nga një devijim i qendërmbrojtësit të Bayern, Sule. Goli i sigurisë ka ardhur në minutën e 91-të, me James Rodriguez që ka fiksuar shifrat në 3-1 me një magji nga goditja e dënimit.

Me këtë fitore Bayern është ngjitur në kuotën e 44 pikëve në kampionat, 14 pikë më shumë se ndjekësja më e afërt që është Schalke dhe që do të luajë nesër në fushën e Leipzig.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Bundesliga