Champions League

BBC: UEFA po mendon përdorimin emergjent të VAR-it në Champions

VAR-i mund të bëhet pjesë e Champions-it përpara afatit të parashikuar nga UEFA. Penalltia që hungarezi Viktor Kassai akordoi në favor të Manchester City, në rastin e shumëdiskutueshëm të Sterling, ka rihapur debatin mbi nevojën për ta aplikuar urgjentisht “video-arbitrazhin” në kompeticionin më të rëndësishëm kontinentale.

Sipas BBC-së, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të diskutojë në mbledhjen e tij, në fillim të dhjetorit (takimi do të zhvillohet në Dublin), mbi përfshirjen e VAR-it në fazat finale të Ligës së Kampioneve, këtë sezon.

Pas muajsh debati, më 27 shtator, qeveria europiane e futbollit miratoi kalendarin për fillimin e përdorimit të VAR-it në garat që organizon. Bazuar në atë vendim, “video-arbitrazhi” do të fillojë të përdoret në Champions nga sezoni i ardhshëm (2019-2020), në të gjitha ndeshjet e kompeticionit.

Më parë, VAR-i do të “debutojë” në Superkupën Europiane 2019 (që do të zhvillohet në stadiumin e Besiktas në Stamboll). Kjo do të jetë ndeshja e parë me VAR në garat që organizon UEFA, përveç rastit nëse Komiteti Ekzekutiv do të avancojë me miratimin e tij në dhjetor.

Kalendari i përfshirjes së VAR-it në kompeticionet e UEFA-s

Kompeticioni Edicioni / Viti Raundi
Superkupa Europiane 2019 Një ndeshje e vetme
Champions League 2019-2020 Që nga raundi i fundit paraprak
Kampionati Europian 2020 Faza finale
Europa League 2020-2021 Nga faza e grupit
Nations League 2020-2021 Nga çerekfinalet (final four)

 

Më shumë nga Champions League