Miks Vendi

Beachvolley, shpallen çiftet kampione të volejbollit të plazhit për vitin 2017

Është mbyllur sot në plazhin e Kavalishencës, në Durrës, Kampionati i 2-të Kombëtar i Beachvolley, aktivitet që u organizua për dy ditë me radhë nga Federata Shqiptare e Volejbollit. Dyshja e vajzave Adelajda Prenga e Ergysa Blloku u shpall kampione e Shqipërisë për vitin 2017 në këtë kategori, duke fituar në finale ndaj dyshes Esmeralda Tuci e Xhudiana Kruti. Ndërsa dyshja Gloria Zagori e Jola Gjermeni zuri vendin e tretë. Ndërsa për meshkuj, fitues i kampionatit doli çifti i përbërë nga Klaudio Qerraxhia dhe Arbër Troka, që në finale fituan ndaj dyshes Zhenklaud Muça e Glejn Zagori. Ndërsa në vendin e tretë u klasifikua dyshja Blerim Memia e Nikolin Qafarena.

Për të dyja kategoritë, meshkuj e femra, FSHV-ja shpërndau një premio financiare për tri vendet e para (5, 3 dhe 2 mijë lekë të reja). Ky aktivitet tërhoqi vëmendjen e mjaft sportistëve, dashamirësve të këtij sporti dhe pushuesve, që ndoqën nga afër ndeshjet e këtij turneu mjaft tërheqës dhe me rivalitet. Përgjatë të dyja ditëve që u zhvilluan takimet nuk munguan ndeshjet me rivalitet e emocione, me sportistët që dhuruan spektakël. Ky aktivitet uli siparin e eventeve të ndeshjeve të volejbollit për sezonin sportiv 2016-2017 të FSHV-së, që së shpejti nis ndeshjet e para sezonale për sezonin e ri 2017-2018, më 22 shtator, me Kupën e Federatës.

Nga ndeshja finale e beachvolley per meshkuj

Nga ndeshja finale e beachvolley per femra

 

Më shumë nga Miks Vendi