Kampionati Shqiptar

Begeja: Rivalitet i fortë mbijetese me Kamzën dhe Vllazninë

Teuta e ka fituar pastër ndeshjen me rivalin direkt për mbijetesë, Vllazninë, me rezultatin 2-0. Tri pikë të çmuara, që i vendosin tashmë durrsak në të njëjtën “gjatësi vale” me shkodranëty, duke i bërë javët e mbetura të kampionatit shumë të ethshme për qëndrimin në Superiore. Trajneri i “djemve të detit”, Gentian Begeja, u shpreh i lumtur pas ballafaqimit të radhës në kampionat:

“Unë e kam thënë edhe më herët se kjo ndeshje kishte një specifikë të veçantë, sepse luanim kundër një rivali direkt. Ky 3-pikësh na jep më shumë shpresë dhe besim, por ende nuk jemi të qetë, pasi duhen ende shumë pikë, për të synuar mbijetesën.

Mendoj se merita nuk është vetëm e repartit të mbrojtjes, por e të gjithë skuadrës. Lojtarët janë më të vetëdijshëm për situatën ku ndodhemi dhe më kërkues e këmbëngulës në fushë, ndaj edhe rezultatet po shihen.

Javët e fundit kemi ecur me hap Europe? Në fakt, skuadra e Teutës u ndërtua që në fillim për të synuar Europën, por ndodhën shumë momente aspak të këndshme, që na çuan në këtë situatë të keqe. Tani do të duhet të luftojmë shumë për të mbijetuar, pasi do të jetë një duel i fortë me Kamzën dhe Vllazninë.

Golat kanë ardhur nga mbrojtja? Në fakt, kjo është e vërtetë, por më duhet të evidentoj se si Latif, ashtu edhe Dediç, kanë bërë ndeshje shumë të mira dhe i janë përgjigjur angazhimit të skuadrës. Shpresoj që në javët në vijim, lojtarët e sulmit të gjejnë edhe golat, për të qenë më të qetë”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar