Merkato

Bën sherr me Mourinho-n, ylli i United drejt Serisë A

Henrikh Mkhitaryan është zhdukur papritur nga radarët e Manchester United. Armeni ka ndihmuar Mourinho-n të fitojë Europa League, por në javët e fundit 28-vjeçari është lënë jashtë planeve të teknikut portugez, që nuk i ka kursyer kritikat ndaj tij. Tani kanë filluar të qarkullojnë zërat për një shitje të lojtarit në merkaton e janarit, me Inter-in që është gati të ndërhyjë.

Lojtari, pas ndeshjeve të kombëtareve është lënë jashtë skuadrës, duke mos u grumbulluar në pesë nga gjashtë ndeshjet e fundit të United. Kundër Brighton ka luajtur vetëm 19 minuta. Diçka duhet të ketë ndodhur dhe shtypi anglez ka folur për një sherr mes të dyve. Sigurisht, Mou nuk ka qenë i butë me lojtarin e tij. Disa javë më parë, pas përjashtimit të radhës, ka thënë: “Nuk jam i kënaqur me paraqitjen e Mkhitaryan. Nuk po flas për një ndeshje ose dy, por për më shumë. Sezoni ka nisur mirë, më pas është zhdukur. Një lojtar si ai nuk mund të zhduket kaq shpesh në një ndeshje”.

Pas këtyre deklaratave, Mkhitaryan është lënë jashtë skuadrës. Lingard dhe Rashford, që e kanë zëvendësuar, kanë ditur të shfrytëzojnë rastin dhe kanë qenë vendimtarë me golat e tyre. Merkaton e janarit po afrohet dhe mesfushori mund të ndryshojë ambient. Ai është pëlqyer gjithmonë edhe nga Juventus, por bardhezinjtë kanë shumë alternativa në rolin e tij. Për këtë arsye, duket se Inter mund ta ketë rrugën të hapur. Për më tepër, zikaltrit kanë në ekip një lojtar që Spalletti nuk e aktivizon shpesh, i cili pëlqehet shumë nga Mourinho: Joao Mario.

Më shumë nga Merkato