La Liga

Benzema reagon për kritikat: Disa njerëz nuk e kuptojnë atë që bëj…

Sulmuesi i Real Madrid, Karim Benzema, është rikthyer të flasë për kritikat ndaj tij, pas ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Viktoria Plzen. 30-vjeçari shënoi dy herë në pjesën e parë dhe në këtë mënyrë u bë lojtari i shtatë në historinë e klubit të bardhë, që tejkalon shifrën e 200 golave, duke iu bashkuar një liste të yjeve të tillë, përfshirë emra si Cristiano Ronaldo, Ferenc Puskas, Alfredo Di Stefano dhe Raul.

Real Madridi ka pasur një fillim të vështirë të sezonit 2018-2019 dhe e sheh veten shtatë pikë prapa Barcelonës në garën për titullin e La Liga-s. Kjo situatë i kushtoi vendin e trajnerit Julen Lopetegui. Santiago Solari u emërua në vend të tij përkohësisht dhe ka garantuar një kthesë të shpejtë, pasi kampionët europianë kanë fituar tri ndeshjet e fundit, në të gjitha garat.

Benzema ka luajtur një rol kyç në këtë “ringjallje”, por ai ndjen se është gjykuar padrejtësisht nga pjesë të caktuara të mediave: “Kur shkoj në fushë, nuk dua vetëm të shënoj gola, por të jap asiste, të luaj…, çfarë bën një sulmues. Gjithmonë ndodh e njëjta gjë, por unë luaj futboll për të bërë histori dhe ndonjëherë njerëzit nuk e kuptojnë atë që bëj në fushë. Por, kjo nuk më shqetëson, sepse jam 30 vjeç, kam fëmijë dhe nuk mendoj për këto gjëra”.

Benzema vazhdoi të lavdërojë Solarin për ndikimin e tij të menjëhershëm në ekip, duke e mbështetur që ta vazhdojë rolin si trajner deri në fund të sezonit: “Sigurisht, pse jo, ne jemi mirë me të. Unë nuk shoh një trajner që vjen për një apo dy muaj, kështu që shpresoj të vazhdojmë me Solarin deri në fund të sezonit, të paktën. Ai është një trajner i madh, na ka dhënë më shumë besim dhe do të garojmë për të gjithë trofetë”.

Më shumë nga La Liga