Kampionatet në Europë

Berisha: Ëndrra mbetet “Europa League”, por duhet të jemi realistë

Etrit Berisha ka marrë një rol udhëheqës në Seria A dhe në ekipin e tij kombëtar. Thomas Strakosha duket se e ka vënë në presion patriotin e tij, duke mëtuar të jetë ai mes kuadratit të Shqipërisë, pas marrjes së vendit të titullarit te Lazio. Sidoqoftë, nuk i mungon buzëqeshja Etritit. Pikë referimi tek Atalanta dhe kombëtarja e Shqipërisë, Berisha nuk ka ndërmend të ndalet. “Në disa mendime, sezonin e kaluar ne mund të përfundonim të katërtit. Unë mendoj se kemi bërë diçka të jashtëzakonshme, por ne jemi ende në gjendje të përsëritemi, – lexojmë në faqet e “Corriere dello Sport”, në numrin e sotëm. – Fillimi i sezonit ishte pozitiv, edhe në Europë kemi fituar 4 pikë në 2 ndeshje. Ka qenë e vështirë për të bërë më shumë. Sekreti? Puna. Ne kemi luajtur çdo tri ditë, por jemi adaptuar shpejt në një intensitet të tillë ndeshjesh në sajë të Gasperinit, një trajner që gjithmonë shtyn për të dhënë gjithçka. Me të ju nuk mund të pushoni. Ai kujdeset për çdo detaj. I pëlqen futbolli dhe dëshiron që ekipi i tij të jetë protagonist. Është me të vërtetë i mirë.

Suksesi ndaj Everton? Ishte një fitore që na bëri të kuptojmë se jemi në rrugën e duhur, se mund të luajmë edhe kundër kundërshtarëve të tillë, si Everton dhe Lyon. Unë mendoj se e kemi potencialin për të shkuar nëpër rrugën e objektivave. Endrra e të gjithëve do të jetë për të fituar trofeun e “Europa League” (qesh), por realisht duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës. Imperativi ynë duhet të jetë për ta mbajtur këtë ritëm, pa kaluar në eufori, edhe pse pranoj se rezultatet po na ndihmojnë. Tani entuziazmi është i madh për krejt njerëzit e mrekullueshëm nga Bergamo”. Berisha përsëri foli për penalltinë që i priti Dybala: “Për të qenë i sinqertë, unë nuk kam bërë asgjë tjetër më shumë se në të kaluarën, kur kam neutralizuar penallti të tjera.

Dybala është një fenomen, ndaj në nivel personal jam i lumtur. E ndihmova ekipin të fitojë, kjo është më e rëndësishmja. E merituam për mënyrën se si kemi luajtur. Hero kombëtar? Unë e pranoj se në Shqipëri, Seria a është shumë e ndjekur. Kam shumë miq tifozë të Juventusit, Milanit, Interit dhe Napolit. Sidomos këta të fundit më kanë falënderuar për pritjen e penalltisë ndaj rivalit të tyre për vendin e parë, Juventusit.” Për Berishën tani është koha për Napolin: “Po, sepse ka lojtarë të mirë dhe shpreh futboll cilësor, por Juventusi mbetet i preferuari për mua. Bardhezinjtë janë gjithmonë me një mijë në orë, të gjithë e dinë se çfarë mund të bëjnë. Ata kanë një mentalitet fituesi.”

Më shumë nga Kampionatet në Europë