Futboll

Berlusconi nis rindërtimin e Monza-s, mendon edhe trajnerin e preferuar

Ishte shkurti i vitit 1986 kur Milani kaloi në duart e Silvio Berlusconi-it, një sipërmarrës jo shumë i njohur në Itali. Mbërritja e tij në qendrën stërvitore të skuadrës dhe prezantimi “thithën” vëmendjen e të gjithëve, nga helikopteri te diskutimi. E gjitha me një premtim: do të ngjis Milanin në majën e botës.

E thënë, e bërë! Nuk u desh shumë që kjo të ndodhte, sepse revolucioni i vërtetë do të niste me magjistarin Saki në pankinë, pa harruar investimet “me peshë” gjatë viteve, me afrime futbollistësh që edhe sot nëse i përmend emrin të imponojnë respekt.

Por, pas 31 vjetësh, Berlusconi do të detyrohej të shiste Milanin, ose ndryshe “krijesën e tij”, ashtu siç e ka quajtur gjithmonë. U mendua se me futbollin e kishte mbyllur.

E megjithatë, kjo fjali ishte mesazhi se pasioni për topin mbetej.

“Siç duket, do të më duhet ta blej sërish Milanin!”. Disa muaj më parë, “Cavaliere”, në momentin më të hidhur të klubit kuqezi, teksa pronari Yonghong Li ishte zhdukur dhe kërcënimi i UEFA-s për përjashtim nga kompeticionet po bëhej real, ringjalli shpresat e tifozëve.

Por, vetëm kaq, sepse më pas ngjarjet rodhën ndryshe dhe situata nisi të përmirësohej, deri kur Milani kaloi në duart e fondit “Elliott”.

Natyrisht, gjithkush do të mendonte se Silvio do të qëndronte larg futbollit, por u gabua.

Monza është ideja më e fundit dhe pasi avokatët janë vënë në lëvizje prej kohësh, tashmë mbeten vetëm firmat dhe kalimi i pronësisë me 95% të aksioneve, teksa 5% do t’i mbeten presidentit aktual, Nicola Colombo.

Jo vetëm kaq por Berlusconi po mendon edhe për trajnerin që do të udhëheqë Monza-n: sipas shtypit italian, i përzgjedhuri pritet të jetë ish-trajneri i Milanit, Christian Broçhi.

Një tjetër emër që po mendohet, këtë herë për të fuqizuar sulmin, është ai i Alberto Gilardino-s.

Projekte të mëdha dhe shumë dëshirë. Berlusconi po rikthehet në pistë, këtë herë, për një tjetër sfidë.Ber

Më shumë nga Futboll