La Liga

Betis-Barcelona, miqtë kanë fituar 8 nga 9 të fundit kundër “Verdiblancos”

Barcelona ka pësuar humbjen e parë që nga muaji gusht mbrëmjen e së mërkurës, me Esoanyol që ka fituar 1-0 në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Mbretit dhe që i ka dhënë fund ecurisë prej 29 ndeshjesh pa humbje të “blaugranave”. Lajmi i mirë për Messi-n me shokë është se ndeshja e kthimit do të luhet në “Camp Nou” të enjten e ardhshme, por para kësaj sfide ata do të shkojnë në fushën e Betis të dielën në mbrëmje, një ndeshje që do të jetë e vlefshme për javën e 20-të të kampionatit spanjoll.

Luis Suarez e ka nisur nga stoli ndeshjen e luajtur të mërkurën, por pritet të jetë titullar kundër Betis, ashtu si Jordi Alba, Ivan Rakitic dhe MarcTer Stegen, të cilët janë aktivizuar të gjithë nga stoli në mesjavë. Mesfushori Paulinho ka pësuar një dëmtim kundër Espanyol dhe është në dyshim. Trajneri i Betis, Quique Setien, do ta ndjekë ndeshjen nga shkallët e stadiumit për shkak se është i skualifikuar.

Betis ka qenë një nga skuadrat më argëtuese të këtij sezoni në La Liga falë një loje të shpejtë dhe të rrjedhshme, por problemi i tyre qëndron në mbrojtje. Në fakt, në ndeshjet e “Verdiblancos” kanë regjistruar mesatarisht më shumë gola (3.63) në këtë sezon të La Liga se çdo skuadër tjetër. Andaluzët kanë sulmin e tretë më të mirë të kampionatit, por mbrojtjen e katërt më të keqe.

Ata, gjithsesi, kanë fituar tri nga katër ndeshjet e fundit të kampionatit dhe do të kërkojnë t’i shkaktojnë humbjen e parë në këtë kampionat Barçës. Një objektiv aspak i lehtë për t’u arritur, duke parë se katalanasit kanë fituar 8 nga 9 ndeshjet e fundit të luajtura kundër Betis në të gjitha kompeticionet.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga La Liga