Kampionati Shqiptar

Bicaj vendos të ardhmen, Teuta konfirmon marrëveshjen me mbrojtësin

Teuta ka bërë goditjen e radhës, madje mund të thuhet se është një nga më të mirat e momentit. Ish-mbrojtësi i Flamurtarit sezonin që kaloi, aktualisht pa skuadër, Ditmar Bicaj, ka arritur marrëveshjen me “djemtë e detit”. Lajmin e ka bërë të ditur klubi i Teutës, me anë të një komunikimi të shkurtër në rrjetet sociale, ku shkruhet: “Ditmar Bicaj, lojtari më i ri i Teutës. Pasdite lojtari do të firmosë dhe do të bashkohet me skuadrën në Ohër”.

Qendërmbrojtësi 29-vjeçar bëri paraqitje të mirë me klubin vlonjat, sezonin e shkuar, por atij nuk iu rinovua kontrata nga klubi. Ndërkohë, më herët ishte përfolur për një kalim të tij te Skënderbeu, por duket se marrëveshja mes palëve nuk është gjetur. Tashmë qendërmbrojtësi shtatlartë do të veshë fanellën e klubit të Teutës, ku nën urdhërat e Blendi Shkëmbit do të synojë të bëjë mirë me klubin e ri.

Teuta ka qenë aktive në merkato deri më tani, duke përforcuar të gjitha repartet problematike me lojtarë të rinj. Ditmar Bicaj ka një eksperiencë të gjatë në klubet e Superiores, duke luajtur më parë, veç Flamurtarit, edhe me Skënderbeun, Partizanin, Tiranën, por edhe në skuadra jashtë vendit. Ai do të jetë një shtyllë e rëndësishme në mbrojtjen e durrsakve për sezonin e ri.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar