Connect with us

Femra

Bici: Grupi forca e kombëtares, fitojmë në Ligën e Euorpës

Pak ditë më parë, Ariola Prenga e vlerësoi shumë faktin se në ekipin kombëtar është shtuar profesionalizmi, referuar faktit se dy volejbolliste të tjera kanë debutuar sezonin e sapombyllur në ekipe jashtë Shqipërisë. Njëra prej tyre është Erblira Bici, një nga shuteret kryesore të ekipet kombëtar, që sezonin e fundit u aktivizua në Itali. Jo vetëm kaq, por ajo ishte një nga 5 shuteret më të mira të Serisë A2 italiane. Vjet, Bici ishte edhe një nga shuteret më të mira të Ligës Europiane, rezultat të cilën volejbollistja kuqezi synon ta përsëritë edhe këtë vit. “Do të sjell pranë ekipit kombëtar përvojën e fituar në Itali, pasi kam mësuar shumë gjëra të reja, të cilat do të më ndihmojnë edhe më shumë në aspektin personal. Për mua ishte një sezon pozitiv ky në Itali dhe besoj se do të më rinovohet kontrata, pasi të gjithë mbetën të kënaqur me mua”, u shpreh Bici.

Bici feston nje pike me kombetaren

Volejbollistja pranon se pas kthimit në Shqipëri ka kaluar disa ditë pa stërvitje, por ajo nuk shqetësohet për këtë fakt, pasi po rikuperon gradualisht formën, për të qenë gati në ndeshjet e qershorit. “Grumbullimi po shkon mirë, stërvitja po ashtu dhe e ndjej se po rifitoj formën optimale. Përveç punës me topin po punojmë fort me palestrën, pishinën apo edhe me fizioterapi. Kushtet këtë edicion janë shumë më të mirë dhe falënderojmë Federatën për mbështetjen, pasi kjo ka krijuar një atmosferë fantastike në skuadër. Kjo është mjaft pozitive për kombëtaren dhe na ndihmon për të arritur rezultate të mira në fushë”, tha Erblira Bici.

Bici xhonglon me topin

Kombëtarja ka mjaft element të rinj, që për Bicin po sjellin një frymë të re, përvojë të re edhe pse vetë ajo është një 18-vjeçare dhe me një karrierë të gjatë përpara. “Unë mundohem të jap më të mirën në stërvitje cdo ditë, por kjo vlen për të gjitha vajzat. Të gjitha japin maksimumin dhe kemi Amarildën që është një lidere, që na inkurajon e karikon me përvojën e saj. Ne shpresojmë shumë të kualifikimi, madje besojmë se do t’ia arrijmë qëllimit për të dalë në fazën finale. E dimë që nuk ka për të qenë e lehtë, por nëse ekipet e tjera kanë një nivel më të lartë, ne kemi më shumë zemër. Pikërisht grupi është forca jonë si skuadër, pasi mendojmë dhe besojmë të gjitha njësoj”, shprehet e bindur Bici, që fton tifozët ta mbështesin ekipin kuqezi në këto eliminatore.

Bici me fanellen e kombetares ne aksion

Ndeshjet e para luhen në Tiranë dhe kjo është pozitive, pasi duam të fitojmë dhe të bëjmë një paraqitje të mirë. Një atmosferë e fortë do ta na japë më shumë shtysë dhe shpresoj të kemi edhe më shumë fansa se në Durrës”, tha Erblira Bici, që shumë shpejt po kthehet në një lidere të ekipit kuqezi, një titullare e padiskutueshme. “Në aspektin personal dhe profesional gjithçka po shkon mjaft mirë dhe mezi pres që përvojën e fituar këtë sezon ta shpalos edhe me ekipin kombëtar. Miqësoret që po zhvillojmë do të na japin mundësi të shohim se çfarë kemi bërë, por unë besoj se në fund do të festojmë të gjithë së bashku”, tha Bici.

Bici (me fanellen e zeze) ne miqesoren Shqiperi-Kosove luajtur te shtunen

Më shumë nga Femra