Tenis

Bien titanët, edhe Djokovic eliminohet nga Montekarlo

Pas Andy Murray (eliminuar dje) edhe numri 2 në botë, serbi Novak Djokovic është eliminuar sot nga turneu Masters i Montekarlos. Një eliminim surprizë i tenistit serb, që u mposht pas 2 orësh e 37 minutash lojë, nga belgu David Goffin. Ky i fundit fitoi 2-1 (6-2, 3-6, 7-5), një ndeshje me përmbysje të shpeshta të lojës dhe që dhuroi emocione deri në fund. Goffin besoi te fitorja ndaj një Djokovic ende shumë larg formës së tij edhe pse prej javësh shprehet se do të rikthehet kampion, por mungon rezultati. Kjo është hera e parë në historinë e turneut Masters të Montekarlos që numrat 1 dhe 2 në botë eliminohen kaq shpejt.

Serbi Novak Djokovic largohet kokeulur nga fusha pas humbjes

Goffin e nisi më mirë ndeshjen, pati epërsi dhe fitoi 6-2 setin e parë, por Djokovic nuk dorëzohet dhe triumfon 6-3 në setin e dytë. Madje serbi e nis mirë edhe setin e tretë, shkëputet 2-0 por nuk arrin të konkretizojë deri në fund këtë epërsi. Belgu Goffin rikuperon dhe del përpara, duke fituar 7-5 setin e tretë. Serbi bëri shumë gabime, fali shumë topa, çka tregon se ende nuk ka rikuperuar fizikisht e psikologjikisht, në turneun e parë në fushat me dhè. Pas eliminimit të Murray e Djokovic (mungon edhe Federer) bëhet edhe më e lehtë rruga për spanjollin Rafael Nadal, që synon titullin e dhjetë në këtë turne Masters.

Tenistet Djokovic dhe Goffin pershendeten ps sfides

Më shumë nga Tenis