• Blerja e parë e Interit të ri kushton 40 milionë euro

    Publikuar: 8 Mar 12:52

    Sipas të përditshmes italiane “Il Messaggero” ekipet e Interit dhe Fiorentinës kanë arritur marrëveshjen për kalimin e sulmuesit 23-vjeçar Federico Bernardeschi nga skuadra vjollcë tek ajo zikaltër. Një transferim që do të konfirmohet verën e ardhshme dhe që ka kapur shifrën e 40 milionë eurove. Në këtë mes është edhe miratimi i sulmuesit të ri, që ka dhënë “OK” për të luajtur me Interin sezonin tjetër. Zikaltërit kanë kohë që insistojnë për të marrë Bernardeschi, duke investuar që tani tek një lojtar i ri dhe premtues për të ardhmen, për të evituar konkurrencën.

    Kjo blerje konfirmon synimet e pronarëve të rinj kinezë, që duan të ndërtojnë një skuadër të re dhe mbi të gjitha me futbollistë të rinj italianë dhe që premtojnë për të ardhmen. Bernardeschi i bashkohet një tjetër futbollisti të ri si Roberto Gagliardini, që i ble në janar nga Atalanta. Sulmuesi i Fiorentinës ka kohë që dallohet në Serinë A, por këtë sezon shpërtheu përfundimisht, duke realizuar deri më tani 10 gola e 4 asist me ekipin vjollcë. Ardhja e tij do të thotë që në verë do të ketë edhe largime nga Interi, me 35-vjeçarin Rodrigo Palacio që pritet të “hapë krahun”.


    Lexo postimet e tjera