Bundesliga

Boateng, tjetër sulm i ashpër ndaj Ancelottit

Goditje pas goditje… Sepse përgjigja nuk ka ardhur kurrë deri tani. Që nga fundi i shtatorit, kur Carlo Ancelotti u shkarkua nga drejtimi i skuadrës së Bayern Munich, ka pësuar një mori sulmesh. Nga Uli Hoeness te Thomas Muller, deri te Jerome Boateng. Por pavarësisht të gjitha goditjeve dhe sulmeve që është dashur të kapërdijë, Ancelotti nuk është shprehur akoma. Aktualisht është e vërtetë që prej kur në stolin e Bayern Munich ka mbërritur Heynckes, bavarezët kanë fituar shtatë nga shtatë ndeshjet e luajtura, por është gjithashtu e vërtetë që një ndryshim i tillë rendimenti nuk mund të varet vetëm nga trajneri. Për një motiv apo për një tjetër, edhe futbollistët nuk jepnin rendimentin e tyre maksimal. Pra, nuk mundet që të ketë gabuar vetëm Ancelotti.

Por te Bayern nuk e mendojnë kështu. Mbrojtësi gjerman nuk arrin të jetë aspak diplomatik. Kur gjendet duke folur për Ancelottin, ai e bën duke e sulmuar publikisht, pa rrugë të mesme. Edhe kësaj here ka qenë shumë i ashpër, duke treguar një prapaskenë të ndeshjes që Bayern Munich e humbi me rezultatin 3-0 ndaj PSG, që i kushtoi vendin e punës trajnerit italian.

“Përpara ndeshjes me PSG ishte shumë i çuditshëm. Ishim te salla e mbledhjeve dhe një orë e gjysmë përpara ndeshjes iu tha pesë prej nesh se nuk do të luanim. Pa dhënë asnjë sqarim. Ne futbollistët e përfshirë mbetëm të shtangur”, deklaroi Boateng, i cili nuk u kufizua vetëm me kaq. “Me Ancelottin stërviteshim në mënyrë të ndryshme nga më parë. Një futbollist e di nëse është në 100% dhe me atë unë nuk isha. Tani me Heynckes ndihem sërish rehat te Bayern Munich. Së fundmi jam vrarë shumë herë. Një periudhë e errët, sepse prej vitesh nuk kam pësuar asgjë, më pas të gjtiha bashkë, krejt papritur. Por, nëse dëmtohet edhe Muller që nuk ka muskuj, atëherë duhet reflektuar…”, vijoi sulmin e tij Boateng, duke shënjestruar ish-trajnerin e Bayern Munich, Carlo Ancelotti.

Më shumë nga Bundesliga