Atletikë

Bolt poston foton e dëmtimit, venitet mundësia për të luajtur me United

Usain Bolt ka mbetur i zhgënjyer nga mënyra se si e mbylli karrierën e tij, me një medalje bronzi në finalen e 100 metrave dhe mbi të gjitha me një dëmtim të papritur në finalen e stafetës 4×100 metra. Por më shumë se sa nga dëmtimi sprinteri xhamajkan ka mbetur i zhgënjyer nga zërat në lidhje me një dëmtim të rremë, ndaj dhe rekordmeni i botës ka postuar dhe më pas ka hequr nga rrjetet zyrtare një foto ku tregon dëmtimin e tij. “Nuk jam mësuar të shpërndaj të tilla informacione mjekësore, por kam dëgjuar persona që më kanë akuzuar se nuk jam dëmtuar”, tha Bolt në mesazhin për fansat, shoqëruar me foton e një rezonance magnetike, mesazh e foto që më pas janë hequr nga sprinteri xhamajkan.

Momenti i demtimit te Bolt ne Boterorin e Londres

Bolt pat postuar foton e rezonancës magnetike të kryer pas dëmtimit të pësuar të dielën në mbrëmje në këmbën e majtë, që nuk është një ndryshje e thjeshtë, siç u mendua në fillim. Mjekët thonë se xhamajkani ka nevojë për 3 muaj pushim absolut, kohë e bollshme kjo për Bolt, që ka vendosur të tërhiqet nga sporti. Rekordmeni i botës në 100 dhe 200 metra do të mbushë ditën e hënë 31 vjeç, çka do të thotë se do të mungojë në një ndeshje bamirësie që veteranët e Manchester United do të luajnë ndaj atyre të Barcelonës, me 2 shtator, në “Old Trafford”. Bolt e priste me padurim këtë debutim me fanellën e skuadrës së zemrës. Pas tërheqjes nga sporti ende nuk dihet se cila do të jetë e ardhmja e njeriut më të shpejtë në botë.

Bolt i demtuar ne stafeten 4×100 metra

Më shumë nga Atletikë