Atletikë

Bolt zgjedh të ardhmen: Do të bëhem asistent i trajnerit tim, ja pasardhësi im

Kam shumë propozime, por ende nuk e di se çfarë do të bëj në të ardhmen”, ka qenë deklarata e lshuar sot nga atleti xhamajkan Usain Bolt, që përgatitet për eventin e fundit sportive të karrierës së tij, Botërorin e Londrës, që nis më 4 gusht. Pas këtij Botërori sprinteri xhamajkan do të jetë një “ish” edhe pse rekordet e tij në 100 dhe 200 metra do të ekzistojnë ende. Megjithatë, Bolt ka nisur të mendojë për të ardhmen, ku gjasat janë që të qëndrojë pranë trajnerit të tij Glen Mills. “Një gjë është e sigurt, do të qëndroj pranë sportit të atletikës”, tha Bolt. “Trajneri im më ka propozuar që të jem asistenti i tij dhe për mua kjo është një mundësi e mirë, pasi herët a vonë edhe Mills do të tërhiqet nga kjo detyrë”, tha Bolt, që e sheh detyrën e trajnerit si mundësinë më të mirë pas Botërorit.

Usain Bolt me trajnerin e tij Glen Mills

Pa anashkaluar familjen: “Do të kem më shumë për të qëndruar me familjen. Nuk e mohoj që më tërheq ideja që të bëhem futbollist, por nuk e di nëse do të kem ende dëshirë të sakrifikoj kaq shumë për sportin”, u shpreh sprinteri xhamajkan. Por kush do të jetë atleti që do t’i zërë vendin pasi ai të tërhiqet nga sporti i atletikës? Bolt ka një përgjigje: “Nuk e di se cili do të jetë pasardhësi im. Kam mësuar se është më mirë të mos nxitohem, por një emër do ta them: Wayde Van Niekerk. E kam parë se si stërvitet, ka talent dhe cilësi të mira. Nëse ai ka dëshirë mund të bëjë gjëra të mëdha, jo vetëm në 400 metra por edhe në 800 metra. Por një gjë ta ketë të qartë, që ndaj Boltit të artë nuk ka asnjë shans të fitojë”, deklaroi nga Londra ku dhe po përgatitet për Botërorin atleti Usain Bolt.

Usain Bolt dhe atleti afrikano-jugor, Wayde Van Niekerk

Më shumë nga Atletikë