Europa League

Bonucci: “Patëm frikë… na mungoi edhe kurajo!”

Pas disfatës 2-0 kundër Arsenal, Leonardo Bonucci, kapiteni i Milan, ka komentuar ndeshjen në mikrofonin e “Sky Sport”. “Në pjesën e parë sigurisht u shfaq disi frikë dhe ankth në përballjen me një skuadër plot me futbollistë të mëdhenj. Gjithçka është eksperiencë. Është e vështirë të ekuilibrosh ndeshjen, por në futboll gjithçka mund të ndodhë. Mësojmë nga pjesa e parë e ndeshjes së sotme se nuk mund të mos mbrojmë dhe të mos sulmojmë si skuadër. Ishim disi të shkurtër mes reprateve, luanim duke hasur vështirësi për të gjetur koridoret e pasimit, edhe për meritë të Arsenal, që luajti një pjesë të parë duke vrapuar shumë”, komentoi Bonucci.

“Por duke shkuar në Londër me shpirtin e treguar në pjesën e dytë, mundet ende që të arrijmë rezultat. Ajo që na mungoi ishte kurajo për të marrë përgjegjësi më shumë, ndërsa në pjesën e parë kishim frikë për të luajtur fatin e ndeshjes. Nevojitet kurajo për të luajtur këto ndeshje. Gjithsesi i duhet dhënë meritë Arsenalit, që bëri një pjesë të parë fantastike. Nuk ishin këmbët e rënda, por është mendja ajo që luan gjithçka”, deklaroi kapiteni kuqezi, që përfitoi nga rasti të japë publikisht përshëndetjen e fundit për Davide Astori: “Mirupafshim Davide… Nuk pata mundësi të shkoja ta përshëndesja. Davide ishte një numër 1 në të gjitha aspektet. Më ka prekur shumë vdekja e tij e papritur. Do ta mbaj gjithmonë me vete. Është një shok i madh, një njeri i madh”.

Më shumë nga Europa League