FSHF

Borë dhe ngrica, kampionati rrezikon të shtyhet

Shumica e ekipeve të Kategorisë Superiore, konkretisht Skënderbeu, Kukësi, Partizani, Tirana, Flamurtari dhe Luftëtari kanë shtegtuar në Turqi për fazën përgatitore, nisur jo vetëm nga kushtet më të mira që ofron kryesisht Antalya, por edhe për klimën më të butë, kur në Shqipëri temperaturat kanë shkuar deri në -28 gradë. Edhe Vllaznia ka zgjedhur Ulqinin, ndërsa kanë mbetur në vend vetëm Korabi, Laçi dhe Teuta, më saktë 3 skuadrat që gjenden në vendet e fundit të renditjes.

Stadiumi “Skënderbeu” i mbuluar nga bora

Pavarësisht se temperaturat janë përmirësuar me disa gradë, sërish moti është i ftohtë. Por më e keqja është se priten sërish reshje bore dhe njëkohësisht edhe temperatura të ulëta, saqë do të jetë tepër e vështirë të luhet në stadiume të tilla, si në Kukës, Korçë, Peshkopi dhe ndonjë tjetër. Kampionati fillon më 21 janar dhe duke parë edhe parashikimin e motit, vështirë që java e parë e fazës të tretë të luhet normalisht. Skënderbeu pret Flamurtarin në Korçë dhe aty zhvillimi i një ndeshje në kushte me borë dhe ngricë do të ishte jo normale.

Stadiumi “Loro Boriçi”

Po ashtu, edhe Korabi pritet të rikthehet në Peshkopi dhe ndeshja me Laçin natyrisht që rrezikon shumë. Vllaznia do të ndeshet me Kukësin në “Loro Boriçi”, por FSHF me siguri që do të mbrojë sërish tapetin e stadiumit, pasi në të tilla ngrica, ai do të dëmtohej. E njëjta gjë vlen edhe për Partizanin, që pret në “Elbasan Arena” skuadrën e Luftëtarit. E vetmja ndeshja që mund të mos ketë problem, është Teuta-Tirana, por gjithsesi edhe ajo nuk mund të luhet në mbrëmbje.

Bora e parë në “Zeqir Ymeri” në 2016

Në të tilla kushte, është menduar shtyrja e kampionatit me të paktën një javë, por do të shikohet se si do të vijojë moti, për të dalë të hënën e ardhshme në një vendim nga ana e FSHF. Është Korabi që i gëzohet më së shumti shtyrjes së kampionatit, pasi në stadiumin e Peshkopisë janë duke u bërë punime dhe mendohet që ndeshja me Laçin, me rivalin direkt për mbijetesë, të zhvillohet atje. Gjithsesi, duke parë temperaturat e ditëve të fundit, të gjithë janë dakord që gara të shtyhet, pasi në të tilla kushte vetëm për futboll nuk mund të flitet.

Më shumë nga FSHF