Futboll

Botërori me 48 ekipe…De Biasi shpall publikisht qëndrimin e tij nga Italia

Ndryshon formula e finaleve të Kampionatit Botëror: jo më 32 ekipe, por me 48. Revolucioni do të ndodhë në vitin 2026, pasi Këshilli i FIFA-s, mëngjesin e së martës ka ratifikuar me unanimitet propozimin e presidentit Gianni Infantino. Më shumë shanse për përfaqësueset e vogla, që me forcë kërkojnë të përfshihen në futbollin e madh. Si për shembull, Shqipëria e Gianni De Biasi, që në vitet e fundit ka jetuar një evolucion të tillë sa për të arritur në finalet e Kampionatit Europian, “Francë 2016”. Pikërisht mbi këtë format të ri ka folur për mikrofonin e “Sky Sport” vetë trajneri italo-shqiptar i kuqezinjve, Gianni De Biasi.

Botërori 2026 do të diskutohet mes 48 ekipeve.

“Pro apo kundër? Bashkohem me ata që janë në favor, jam me të vegjlit natyrisht. Nëse kemi më shumë mundësi për të arritur në Botëror, nuk mund të bëjmë tjetër, veçse t’i buzëqeshim kësaj zgjedhjeje. E kuptoj që mund të merret si donacion e bujari ndaj ndonjë votuesi në veçanti, por në të njëjtën kohë mendoj se është një rast i mirë për të patur mundësinë për të ndryshuar bazën dhe formën. Ndryshimi është sukses, merrni për shembull Europianin e ardhshëm që do të jetë itneresant dhe do të ndryshojë. Kjo, në rastin e Europianit të ri, është një metodë për të zgjeruar kufijtë e futbollit, duke ndarë kostot për çod shtet. “Euro 2016” na mësoi se realitete të vogla, si ajo e jona, ose si Uellsi apo Islanda, mund të konkurojnë edhe në nivele të larta, ndonëse pa ndonjë traditë të madhe pas krahëve”, – u shpreh De Biasi.

Këshilli i FIFA-s miratoi sot në unanimitet propozimin e presidentit Infantino, për ndryshimin e formulës.

Pas Europianit, ëndrra e radhës është ajo e pjesëmarrjes në Botërorin “Rusia 2018”. De Biasi tregon mbi eksperiencën e tij, edhe në këtë aspekt: “Në jetë duhet gjithmonë të punohet dhe të jepet zemra për të kaluar përtej çdo pengese, për të ecur larg vendeve të zakonshme dhe demotivimeve që të thonë se është e pamundur të bësh gjëra të caktuara. Mbase nuk shkon gjithmonë kështu, por e rëndësishme është të provosh dhe mendoj se kjo jep shpresë edhe për federatat e vogla, për të vijuar punën, për t’u përmirësuar. Të stërvitësh e të drejtosh një ekip të vogël, të nevojitet një motivim i madh dhe nuk ke peshën e përgjegjësisë që të jep drejtimi i një ekipi elitar. Në të njëjtën kohë besoj se jeta nuk të lejon të mendosh. Duhet që gjithmonë të prodhosh rezultate të reja, rrugëdalje të reja, objektiva dhe dëshirën për t’u rritur, pa u ulur dhe krenuar mbi rezultatet e mira”.

De Biasi vlerëson se Italia ka bërthamën mbi të cilën mund të punojë për të ardhmen.

Bashkë me Shqipërinë, në grupin e kualifikueseve për në Botërorin “Rusia 2018” është edhe Italia. Derbi për De Biasin do të luhet më 24 mars, në Palermo. “Kampionati italian po e furnizon Venturan me shumë indikime, me futbollistë të ndryshëm të fortë dhe të rinj. Besoj se përfaqësuesja italiane ka një bërthamë me djem, mbi të cilët mund të punohet për të ardhmen”, – përfundoi De Biasi.

Më shumë nga Futboll