Futboll

Botërori i turpit, Katar 2022 goditet nga skandali i radhës

Katar 2022 është mbuluar nga një tjetër re e zezë. Pas “kandidaturave të sabotuara”, ka ardhur raporti i “Amnesty International”, sipas të cilit dhjetëra punëtorë të kantiereve të Kupës së Botës nuk paguhen prej muajsh.

Organizata për të drejtat e njeriut ka shpjeguar se këta punëtorë, pjesa më e madhe e të cilëve janë qytetarë të Nepalit, Indisë dhe Filipineve, duhet të marrin nga 1.370 deri në 2.470 dollarë nga ana e kompanisë “Mercury MENA”.

Për disa kjo shifër është e barabartë me 10 muaj rrogë (shumë prej tyre jetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë). Raporti i “Amnesty International” ka theksuar se këto rroga të prapambetura “kanë shkatërruar jetë” dhe ka ftuar qeverinë e Katarit të paguajë shumën e premtuar.

Raporti i “Amnesty International” është bazuar te intervistat e 78 punëtorëve të kompanisë (që kanë kontribuuar në realizimin e shumë projekteve, mes të cilëve edhe stadiumin e Lusail, ku do të zhvillohet ndeshja hapëse), por ka shtuar se mund të jenë qindra persona të përfshirë.

Sikur të mos mjaftonte kjo, këta punëtorë janë të bllokuar në Katar, mijëra kilometra larg shtëpisë, pa para dhe nuk kanë arritur të largohen, sepse ligjet e vendit kërkojnë që punëtorët të marrin një leje nga punëdhënësi i tyre para se ta bëjnë një gjë tillë.

Ndër të tjera, “Amnesty International” ka specifikuar se në 2017-ën, drejtori ekzekutiv i “Mercury Mena”, ka thënë se kompania e tij “ka qenë viktimë e partnerëve tregtarë të paskrupullt, të cilët kanë krijuar shumë probleme në lidhje me pagesat dhe klientët”.

Ndërkohë, ministria e punës e Katarit ka thënë se abuzime të tilla ndaj punëtorëve “nuk janë të tolerueshme” dhe se ka “procedime gjyqësore” të paspecifikuara ndaj kompanisë “Mercury Mena”.

“Edhe pse Mercury Mena nuk operon më në Katar, hetimet do të vazhdojnë”, lexohet në deklaratë. FIFA ka sqaruar menjëherë se kjo çështje “nuk ka asnjë lidhje me FIFA-n dhe Botërorin 2022”.

Më shumë nga Futboll