Formula 1

Bottas i lëshon sfidën Hamilton: Nuk është i pamposhtur edhe unë për titull

Botërori 2018 në Formula 1 nuk do të jetë më një shëtitje për pilotin finlandez Valtteri Bottas, që vjet debutoi me makinën gjermane Mercedes, por këtë sezon ai pretendon diçka më shumë. Finlandezi konfirmon edhe një herë pretendimet e tij se në radhë të parë do të sfidojë shokun e skuadrës Lewis Hamilton në garën për titull, por edhe rivalët e tjerë të Ferrarit apo Red Bull. “Lewis nuk është i pamposhtur. Pas 5 vitesh në Formula 1 dhe me një makinë kampione dhe të shpejtë si Mercedes i kam të gjitha mundësitë për të dueluar për titullin kampion. Kam nevojë vetëm të jem më konstant në paraqitjet e mia në garë. Leëis është një pilot i madh, por Rosberg tregoi se me punë mund të triumfojë dhe shpresoj të ndjek shembullin e tij”, tha Bottas.

Pilotet e Mercedes, Valtteri Bottas dhe Lewis Hamilton

Testet e dimërore të zhvilluara gjatë dy javëve të fundit në pistën e Montemelo, në Spanjë, treguan se Bottas është i shpejtë në pistë dhe se mund të duelojë për titull. Madje ai e la shpesh pas në renditje shokun e skuadrës, duke treguar se është pretendent këtë sezon. “Nuk besoj se kemi një avantazh të madh karshi rivalëve, por pas dy javësh, kur të zhvillohet gara e parë, do të zbulojmë shumë mistere. Jemi të kënaqur pasi testet dimërore nuk treguar asnjë problem teknik dhe kjo do të thotë se makina është solide. Kjo na jep shpresë se do të jetë një sezon pozitiv, por duhet shumë punë për t’ia dalë në mbanë në fund. Rivalët janë të shumtë e mes tyre do të jem edhe unë”, deklaroi Valtteri Bottas, në sezonin e dytë me makinën Mercedes.

Më shumë nga Formula 1