Futboll

Brazili s’i bën dot dhjetë, Falcao tregon klasin e tij në shtëpi

Brazili s’i bën dot dhjetë, Falcao tregon klasin e tij në shtëpi

Pas 9 fitoresh radhazi në kualifikueset e Botërorit 2018 për Amerikën e Jugut, Brazili është ndalur nga Kolumbia me rezultatin 1-1. “Seleçao” shënoi e para në fundin e pjesës së parë në Barranquilla me mesfushorin anësor Willian, por 45′ e dyta folën për kolumbianët, të cilët reaguan me një gol fantastik të të përhershmit Radamel Falcao.

Ndeshja u karakterizua nga një lojë tipike ndërmjet latinësh, me duele të ashpra dhe me ndalesa të rralla nga gjyqtari. Kolumbia tregoi dëshirën e madhe për të fituar, por Brazili, duke pasur më shumë yje dhe sidomos pikët, arriti të kontrollojë vrullin e lojës së miqve.

Willian dha sinjalin ideal se Brazili nuk mposhtet lehtë, kur gjeti rrugën e rrjetës me një goditje fluturimthi pas pasimit të yllit Neymar (45’+2′). “Cafeteros” nuk e kapërdinë lehtë këtë dhe mundi i tyre u shpërblye në minutën e 56-të, kur pas një aksioni të rrjedhshëm Falcao iu shmang mbrojtësit Marquinhos dhe arriti të barazojë.

Në euforinë e golit, Kolumbia për pak sa nuk kaloi në epërsi me kapitenin James Rodriguez, i cili gjeti shtyllën me një goditje dënimi. Brazili, gjithsesi, nuk u ngop me pak dhe u përpoq të sigurojë fitoren e 10-të radhazi, e cila, për fatin e tij të keq, nuk erdhi.

Më shumë nga Futboll