Premier League

Brighton-Tottenham, miqtë s’humbasin në transfertë nga dhjetori

Rreziku për rënien nga kategoria po kërcënon skuadrën e Brighton, veçanërisht pas humbjes 3-2 të pësuar në javën e fundit të Premier League, në takimin e luajtur në transfertë kundër Crystal Palace. Tri humbje dhe një barazim në katër ndeshjet e fundit kanë vënë në vështirësi këtë skuadër.

Brighton ka një avantazh prej 7 pikësh ndaj vendit të tretë nga fundi i renditjes, por 4 nga 5 ndeshjet e fundit të mbetura në kampionat do t’i luajnë kundër skuadrave që renditen mes vendit të parë dhe të katërt në klasifikim. Ndërkohë, ndeshja e pestë është kundër Burnley, një ekip që ka fituar pesë ndeshje radhazi në kampionat. Përballë Brighton, të martën, do të jetë Tottenham, një ekip që ka fituar katër ndeshjet e fundit të kampionatit që ka luajtur në transfertë.

Për më tepër, skuadra e Poçhetino nuk humbet një ndeshje të kampionatit larg shtëpisë që nga humbja 4-1 e pësuar në fushën e Manchester City dhjetorin e kaluar. Ndeshja e luajtur në fazën e parë ka qenë e para në historinë e dy klubeve në Premier League.

“Spurs” kanë fituar 2-0 me gola të Serge Aurier dhe Heung-min Son. Takimi tjetër mes këtyre dy skuadrave është zhvilluar në Kupën e Ligës, në 2014-ën, gjithashtu i fituar 2-0 nga Tottenham.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Premier League