Kombëtarja

Bushi kërkon mbështetjen e tifozëve, synon vendin e dytë

Pas trajnerit të ekipit kombëtar A, përpara mediave për konkluzionin e dy ndeshjeve eleminatore ka dalë këtë të hënë edhe trajneri i skuadrës përfaqësuese U-21, Alban Bushi. Transfertat në Irlandë dhe më pas në Islandë prodhuan tri pikë për kuqezinjtë, falë një humbjeje dhe një fitoreje. Vetë trajneri Alban Bushi e pranon se me 3 pikë në dy ndeshje skuadra i ka plotësuar pritshmëritë: “Ishin dy ndeshjet e para jashtë fushe dhe kisha shqetësimin se si do të reagonim, por reaguam shumë mirë. Nuk duhej të ishim mundur takimin e parë, por them se tri pikë në dy ndeshje më kënaqin. Në Islandë dominuam gjithë ndeshjen. Ekipi ka forcë dhe lojtarë kandidatë për ekipin e parë A. Ne synojmë fitore në çdo ndeshje. Nuk duhet të shikojmë shumë larg, por të mendojmë për sfidën e radhës. Kemi lojtarë më të vegjël se kundërshtarët dhe mendoj se do të jenë më të rritur sezonin e ardhshëm. Duhet t’i mbaj lojtarët të karikuar në mënyrë që të mos gabojmë siç bëmë në Irlandë. Spanja është një kundërshtar i forte, por diferencat janë të vogla. Nuk mendojmë për Spanjën, sepse më parë, në datë 10 tetor presim Islandën në Tiranë. Ndaj Islandës dhe Irlandës janë ndeshje vendimtare për të na treguar nëse do të kapim vendin e dytë ose jo. Kërkojmë mbështetjen e publikut për t’ia dalë mbanë”.

 

Më shumë nga Kombëtarja