Futboll

Bushi: “Kjo Shqipëri luan bukur ndaj të gjithëve, falënderoj De Biasin për mbrojtjen”

Ekipi Shpresa i Shqipërisë u mund mbrëmjen e të enjtes nga përfaqësuesja U-21 e Spanjës me rezultatin minimal 0-1, me gol të pësuar në minutën e 84’, për të regjistruar kështu disfatën e pestë në nëntë ndeshje të zhvilluara në këto kualifikuese të Europianit U-21. Gjithsesi trajneri Alban Bushi ka fjalë të mira për skuadrën e tij, sikurse dhe një alibi për humbjen.

“Ndaj Spanjës është shumë e vështirë të qarkullosh topin, jam i sigurt që është thuajse e pamundur, jo vetëm për ne, por për të gjitha ekipet, edhe ato elitare. U treguam të paaftë në momentin e pësimit të golit. Jam i bindur që ne do të mund të luanim në sulm dhe shumë bukur ndaj cilitdo kundërshtar, Gjermanisë, Holandës, Italisë, por me Spanjën është shumë e vështirë”, komentoi tekniku i kuqezinjve, Alban Bushi.

“Në të gjitha ndeshjet e tjera kemi luajtur në sulm, kemi qarkulluar topin. Kundër të gjithë ekipeve të tjera, por sot ishte e vështirë. Falënderoj De Biasin, pasi për lojën mbrojtëse kam mësuar shumë prej tij. Ndërsa për sulmin jemi ne, stafi dhe ekspertë të tjerë që na këshillojnë”, deklaroi ndër të tjera trajneri i ekipit Shpresa të Shqipërisë, Alban Bushi.

Më shumë nga Futboll