Futboll

Cana, Xhaka dhe Gashi, bashkohen tek ekipi i FC Vëllaznimit

Babai i ish-kapitenit të Kombëtares Shqiptare të futbollit, Lorik Cana, do të jetë presidenti i ri i ekipit të futbollit Vëllaznimi të Gjakovës. Agim Cana, që më herët ka qenë dhe vetë lojtar i ekipit gjakovar, prej ditës së premte ka arritur një marrëveshje me presidentin e mëparshëm të ekipit, Z.Shkëlzen Gashi, ku ky i fundit i ka lënë dhe drejtimin e klubit babait të Lorik Canës.

Kjo marrëveshje midis Agim Canës dhe Shkëlzen Gashit erdhi pas problemeve financiare që po kalonte klubi gjakovar. Ndërkohë Gashi do të vijojë të jetë pjesë e klubit por tashmë në postin e Presidentit të Nderit të FC Gjakovës. Ndërkohë për klubin  e Vëllaznimit një tjetër donator pritet të jetë dhe babai i dy futbollistëve të tjerë shqiptarë, Taulant dhe Granit Xhakës.

Babai i tyre, Ragib Xhaka, do të jetë donatori tjetër i klubit duke i dhënë një mundësi skuadrës së Superligës së Kosovës të kalojë momentin e vështirë financiar dhe të mbijetojë në elitën e futbollit në Kosovë. Pas gjetjes së presidentit dhe donatorit, ekipi kosovar është në kërkim edhe të trajnerit të ri, me qëllim që në pjesën e mbetur të sezonit të arrijë të qëndrojë në Superligën e futbollit të Kosovës. Aktualisht ekipi ndodhet në vendin e nëntë në renditje dhe rrezikon shumë për rënien nga kategoria.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Futboll