Boks

Canelo thumbon “Triple G”: Grushtet e tij të zakonshëm, nuk më trembin

Boksieri meksikan Saul “Canelo” Alvarez ka thumbuar rivalin e tij të 15 shtatorit, kampionin e botës Gennady Golovkin, në prag të revanshit që dy boksierët do të zhvillojnë në Las Vegas, në duelin e vlefshëm për peshën e mesme. Sipas Canelo, fuqia e grushteve të “Triple G” nuk është aspak e jashtëzakonshme, por thjesht ajo e një boksieri normal edhe pse Golovkin është ende i pamposhtur në botë.

Të gjithë thonë se është më i miri, por ndaj meje nuk fitoi dhe nuk pashë se përballë kisha një boksier të jashtëzakonshëm, por një rival si gjithë të tjerët. Fuqia e tij nuk ka asgjë që nuk i përket kësaj bote. Madje mund tgë them se reflekset e mia janë shumë të mira se ato të Golovkin. E vetmja armë e fortë e tij është përvoja e madhe që ka në ring. Nëse më goditi disa herë në sfidën e parë kjo erdhi prej përvojës së tij dhe asgjë e jashtëzakonshme”, tha Canelo Alvarez.

Sfida e parë mes dy boksierëve doli barazim, ndaj dhe u vendos që Golovkin dhe Canelo të zhvillojnë revanshin, duel që është i vlefshëm për titujt kampionë bote të peshës së mesme që mbahen nga kazaku. “Sfida e parë do të shërbejë si bazë edhe për këtë përballje të dytë. Nuk është e thënë që të ndryshojmë strategji në ring, por vetëm të shtojmë edhe më shumë nga vetja. Duhet të godasim më shumë njëri-tjetrin në çdo raund. Dhe në fund titulli do të jetë imi”, tha Alvarez.

Më shumë nga Boks