Futboll

Carabao Cup / Shumë zhurmë për asgjë, derbit londinez i mungon spektakli

Ndeshja e parë e gjysmëfinaleve të Carabao Cup mes Chelsea dhe Arsenal ka përfunduar me rezultatin 0-0. Nuk ishte ndeshja që prisnin të gjithë të shihnin. Shumë tifozë u frymëzuan nga një nga sfidat më të bukura të Premier League këtë sezon midis Chelsea dhe Arsenal që përfundoi me rezultatin 2-2 por këtë herë nuk ndodhi e njëjta gjë.

Kjo për shkak të rëndësisë së kompeticionit, dhe mbingarkesës së javëve të fundit ku skuadra angleze kanë luajtur çdo tre ditë. Ishin vendasit ata që ishin më të rrezikshëm në fushën e lojës përgjatë 90 minutave por pa arritur të shfrytëzojë mundësitë e shumta të krijuara për gol. Arsenal ishte më i tërhequr dhe mungesa e Alexis Sanchez ishte vendimtare mesa duket për formacionin e Wenger.

Protagonist për një moment është bërë edhe sistemi VAR që po provohet në kupa përpara se të shqyrtohet për Premier League, dhe Arsenal pretendoi për një penallti që u mohua nga arbitri pas rishikimit të aksionit me VAR. Gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen kthimit që do të zhvillohet në fund të muajit, me Arsenal që është më i avantazhuar pasi do të luajë brenda në Emirates.

 

Më shumë nga Futboll