Futboll

Carvajal tregon dramën e jetës: “Më tmerroi frika e mbylljes së karrierës”

I ndalur që nga fundi i shtatorit për një pericardit (infeksion në zemër), mbrojtësi i Real Madrid, Dani Carvajal ka rrëfyer për të parën herë, nëpërmjeft “Dario Madridista”, mungesën e tij të detyruar, duke treguar kështu për dramën e jetës së tij dhe fillimin e tunelit. “Jam mirë, por të mësoja që nuk mund të luaj ishte shumë e rëndë. Në javën e ndeshjes kundër Espanyol, kujtoj që gjatë udhëtimit drejt Dortmund u ndjeva shumë i lodhur. Më pas, të shtunën mbrëma nisa të kem dhimbje në gjoks dhe u shfaqën disa vija temperaturë. Shkova tek mjeku, e më pas te kardiologu, që dyshoi për pericardit, përpara se të bënte testet e rastit. Më pas diagnoza u konfirmua, ishte një moment i vështirë, por doktorët më qetësuan duke më thënë se është një problem i zakonshëm dhe i zgjidhshëm”, tregoi Carvajal.

Tashmë, frika kaloi dhe rikthimi në fushë është shumë pranë: “Tre javët e para ishin të vështira, nuk munda të bëj asgjë për të mos pësuar ndryshime pulsacione, duhej të isha shumë i kujdesshëm në të gjithë rutinën ditore. Pas pak do të bëj një kontroll të ri dhe brenda dy ose tre javësh duhet të rikthehem, por duhet të vazhdoj me kujdes. Më pas do të duhet më shumë kohë për të rifituar formën muskulore. Shpresoj të rikthehem për Krishtlindje. Falënderoj të gjithë ata që më kanë qëndruar pranë, pasi në këto momente të vjen gjithmonë mirë, sidomos shokët e mi të ekipit”, përfundoi mbrojtësi i Real Madrid, Dani Carvajal.

Më shumë nga Futboll