Futboll

Cavani del hapur: Sanchez-Aubameyang, ju mirëpres!

Edinson Cavani nuk i trembet konkurrencës. Teksa përflitet se PSG-ja ka interes për sulmuesit Alexis Sanchez dhe Pierre-Emerick Aubameyang, uruguaiani i ka mirëpritur ata në një intervistë të fundit në “Canal Football Club”. “Kur të vijnë, janë të mirëpritur. Ne gjithmonë shpresojmë që lojtarët e rinj të na bëjnë më të fortë me cilësitë e tyre”, – është shprehur ish-ylli i Napolit. 30-vjeçari, gjithsesi, nuk e pranon se skuadra ka mangësi: “Kurrë nuk do ta them se çfarë na mungon. Për mua, lojtarët aktualë janë më të mirët.”

Sipas informacioneve të revistës “Sport Bild”, babai i sulmuesit të Dortmundit së fundmi ka biseduar me parisienët dhe gabonezi pritet të jetë rivali i parë i Cavani-t në sulm. Pronari i klubit kryeqytetas, Nasser Al-Khelaifi, ëndërron të ketë dy yje në sulm për sezonin e ardhshëm. Kjo është arsyeja pse Cavani para pak javësh përfitoi një rinovim kontrate deri në vitin 2020, me pagë vjetore 10 milionë euro. Aubameyang kushton rreth 70 milionë euro, ndërsa Sanchez, meqë ka edhe një vit kontratë tek Arsenal, mund të shitet më lirë.

 

Më shumë nga Futboll