Kampionatet në Europë

Cavani dhe Neymar zihen për penalltinë, ndërhyn trajneri Emery

Unai Emery pret që Edinson Cavani dhe Neymar të arrijnë një marrëveshje për marrjen e përgjegjësive në goditjet e penalltive, pasi palët debatuan për një goditje të tillë gjatë fitores së PSG ndaj Lyon. Parizienët janë 100 përqind të plotë në fillim të sezonit të Ligue 1, me një fitore 2-0 në shtëpi, ndaj Lyon, një rezultat paksa i lënë në hije nga një mosmarrëveshje midis dy yjeve të sulmit, Cavani dhe Neymar. Cavani dhe 222 milionëshi i mbërritur nga Barcelona u ndeshën me një penallti në minutën e 79-të. Uruguajani përfundimisht fitoi argumentin me shokun e tij të ri të ekipit, por e humbi.

Trajneri i PSG-së, Emery, tha se dëshiron ta lërë në dorë të Cavanit dhe Neymar për të vendosur mbi detyrën e goditjes së penalltive, por do të ndërhyjë, nëse është e nevojshme. “Penalltitë do të goditen nga disa lojtarë, njëri është Cavani dhe tjetri është Neymar, – tha Emery. – Duhet një marrëveshje zotërinjsh në terren për të goditur 11-metërshat. Pas kësaj, ne do të organizojmë në mënyrë të brendshme si do të goditen penalltitë që vijnë, sepse mendoj se të dy janë në gjendje të shënojnë dhe unë dua që të dy ta alternojnë këtë në stërvitje. Nëse nuk ka marrëveshje, unë do të vendos. Unë nuk dua që kjo të jetë një problem për ne.”

Më shumë nga Kampionatet në Europë